Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i është drejtuar sërish Presidentit të vendit Bujar Nishani me një letër ku denoncon një rast të lirimit nga gjykata të një personi që u kap me armë nga Policia e Shtetit.
Letra që i është adresuar edhe ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, i referohet një gjyqtari të Vlorës.
“I arrestuari u kap nga policia me armë pa leje. Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për të arrestuarin ndërsa gjyqtari Laurent Fuçia e ka zbutur masën në detyrim paraqitjeje”, shkruan ministri.
Ministri Tahiri, në letrën e tij shprehet: “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe konkretisht gjyqtar Laurent Fuçia, ka marrë në shqyrtim në seancën gjyqësore, çështjen e referuar nga Prokuroria në ngarkim të shtetasit Vasil Papa, në datën 27.02.2016, ku ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës; ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e këtij shtetasi si dhe ka caktuar masën e sigurimit persona “detyrim për tu paraqitur në Policinë gjyqësore”. Po kështu, në të njëjtin vendim është urdhëruar edhe lirimi i menjëhershëm i shtetasit Vasil Papa?! Shfaqet qartë se gjyqtari në fjalë nuk e konsideron rrezikshmërinë e veprës penale, të pasojave që mund të rrjedhin prej konsumimit të kësaj vepre penale; si dhe nënvlerëson rrezikshmërinë e personi në dritën e fakteve të parashtruara në dosjen hetimore, duke zbutur në mënyrë flagrante masën e sigurimit personal ndaj shtetasit Vasil papa, në kundërshtim me pikën 3, germat “b” dhe “c” të nenit 228 i Kodit të Procedurës Penale. Nisur nga sa më sipër, ekzistojnë dyshimet, besoj të bazuara, se nga ana e gjyqtarit Laurent Fuçia janë kryer veprime jo korrekte, në shpërdorim të detyrës së gjyqtarit dhe besimit me të cilin kjo detyrë vishet, duke favorizuar personat nënë hetim, të cilët kanë përfituar padrejtësisht lirimin e menjëhershëm”.
Ja letra e Tahirit: