Elon Musk kërcënoi të shtunën se do të padisë organizatën e monitorimit të mediave “Media Matters” dhe të tjerë që sulmuan platformën e tij të medias sociale X, pasi disa kompani të mëdha amerikane vendosën të ndalin reklamat në këtë rrjet ku ato shfaqeshin përkrah materialeve antisemite.
Zoti Musk dhe kompania X janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë kësaj jave për shkak të materialeve antisemite dhe raciste që u përhapën në këtë rrjet që kur ai e bleu në vitin 2022.
Organizata liberale e monitorimit të mediave “Media Matters for America” tha më herët këtë javë se pati zbuluar se reklamat e kompanive IBM, Apple dhe të tjera, vendoseshin përkrah materialeve që mbështesnin Adolf Hitlerin dhe Partinë Naziste.
Zoti Musk mbështeti të mërkurën një postim antisemit në rrjetin X, ku pretendohet se anëtarë të komunitetit hebre po ushqenin urrejtjen ndaj të bardhëve. Veprimi i tij u prit me kritika të ashpra, ndër të tjera edhe nga Shtëpia e Bardhë.
“Sapo të çelet gjykata të hënën, Korporata X do të paraqesë një padi termonukleare ndaj Media Matters dhe të gjithë atyre që bashkëpunuan për këtë sulm mashtrues ndaj kompanisë sonë”, shkruajti zoti Musk në rrjetin X, pa thënë se kush ishin palët e tjera të përfshira.
Kompani të shumta pezulluan reklamat e tyre gjatë dy ditëve të fundit, ndër to IBM, Disney, Warner Bros Discovery dhe Comcast, Lions Gate Entertainment dhe Paramount Global. Sipas faqes në internet Axios, edhe Apple, kompania me vlerën më të madhe në botë, do të veprojë po kështu.
“Këtë javë Media Matters for America publikoi një artikull që jep krejtësisht eksperiencën jo të vërtetë në X, në një tjetër përpjekje për të dëmtuar lirinë e shprehjes dhe për të mashtruar kompanitë reklamuese”, thuhet në deklaratën e publikuar nga zoti Musk. Ai e akuzoi organizatën “Media Matters” se ka krijuar një version alternativ për të “keqinformuar reklamuesit” për materialet e tyre që publikohen.
/a.d