Kreu I Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paralajmëruar rritjen e mëtejshme të çmimeve të produkteve bujqësore gjatë vitit të ardhshëm dhe kjo sipas tij, për shkak të problematikave të shumta që ka ky sektor.
Komentet Meta i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se sipas INSTAT gjatë gjysmës ë parë të këtij viti ka pasur një rritje me 11 % të produkteve ushqimore, ku sipas tij, një kilogram fasule ka shkuar 600 lekë të reja dhe një litër vaji ulliri 1 mijë lekë të reja.
Ai kritikoi mënyrën e miratimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të buxhetit prej 7 miliardë eurosh për 20 minuta gjatë një mbledhjeje online.
“Dje Komisioni i Ekonomisë miratoi online në 22 minuta paketën e re fiskale dhe buxhetin e rim bi 7 miliardë euro. Paketa fiskale e re do të ketë vetëm efekte negative në ekonomi, sepse rrit bazën fiskale. I jepet një goditje shumë e fortë profesionistëve. Ky buxhet siç e kemi theksuar ul shpenzimet sociale. Fondi për rritjen e pensioneve do të jetë 2.1 %. Asnjë fond nuk parashikohet për mbështetjen e shtresave më të varfra. Shpenzimet për PPP-të do të rriten me 10 %, në një kohë që shumica e tyre janë nën hetim.
Do të theksoja financimin e Bujqësisë që është skandaloz, pasi përkeqësohen duke u tkurrur nga 0.7 % në 0.6 %. Dua të nënvizoj edhe rrezikun ndaj financave të konsumatorëve shqiptarë, që përbën rritja dyshifrore e çmimeve bujqësore. Këto janë në qendër të shqetësimeve të shtresave në nevojë. Ekspertët thonë se kjo rritje do të vijojë.
Nuk është opozita që ka bllokuar Parlamentin, por qeveria që e ka kapur dhe shndërruar në një noter dhe opozita po lufton që Parlamenti të zhbllokohet. Ju e ndoqët edhe raportin e KE-së që fliste për raportin e Parlamentit me qeverinë, për kapjen që qeveria i ka bërë Parlamentit”, është shprehur mes të tjerash Meta./m.j