Kanë pikëpamje të ndryshme për luftën e Izraelit me Hamasin dhe qëndrime kontradiktore ndaj Moskës që prej nisjes së luftës në Ukrainë, por kur krerët e Gjermanisë dhe Turqisë të takohen këtë të premte në Berlin, do të kenë shtytje të forta ekonomike dhe elektorale për të biseduar.
Vizita e parë e presidentit Edogan në Gjermani që prej 2020-tës, vjen në prag të zgjedhjeve lokale ku ai shpreson të rimarrë qytetet e Ankarasë dhe Stambollit.
Mundësia e një qasje më të mirë ndaj tregut të BE dhe liberalizimit të vizave do të ishte gjithashtu një dhuratë e madhe ndaj votuesve të demoralizuar nga inflacioni në rritje dhe kriza ekonomike.
Erdogan do të ketë nevojë gjithashtu për bekimin e Olaf Scholz nëse do të blejë avionët e luftës Eurofighter Typhoon për të cilat Ankaraja ka shprehur interes.
Gjermania, përmes Airbus-it, është një partner në konsorciumin që i ndërton ato. Për Scholz, i cili drejton një koalicion prej tre partish që grindet për ekonominë dhe impaktin e emigracionit, roli i Ankarasë në frenimin e emigrantëve e bën atë një partner të domosdoshëm për BE.
Në një sinjal të rëndësisë së vizitës Scholz u përpoq të përmbahej nga deklaratat e forta të Erdogan për Izraelin, dhe cilësimit të Hamas si një organizatë çlirimtare.
Por lideri turk ashpërsoi edhe më tej qëndrimin duke e përkufizuar Izraelin si një shtet terrorist të mbështetur nga Perëndimi. Kjo sugjeron se eklipsimi i vizitës nga lufta në Gaza mund të jetë i pashmangshëm.
/a.r