Analisti Skënder Minxhozi thotë se vendimi i Gjykatës së Strasburgut për “21 Janarin” ishte i pritshëm dhe se në lidhje me këtë ngjarje, nuk ka më nevojë të hetohet.
Në një intervistë për ABC News, Minxhozi u shpreh se vrasjet e 4 protestuesve janë zbardhur dhe shtoi se duhet vullnet për të vënë gishtin te fajtori.
“Ngjarja e 21 Janarit ka harxhuar kaq shumë orë televizive, kaq shumë letra dhe bojë nëpër mediat e shkruara të kohës, por edhe më vonë, saqë ajo që lexuam në vendimin 40 faqësh të Gjykatës së Strasburgut, nuk është se ka më elemente të reja, ajo është zbardhur faktikisht.
Nuk ka pasur nevojë as të hetohet, dhe as të zbulohet ndonjë aspekt i panjohur i asaj tragjedie. Ajo ka qenë e njohur, e konsumuar, nën objektivin e 20 telekamerave që e kanë regjistruar.
Ka pasur dhe ka ende një mungesë konstante të vullnetit, për të vënë gishtin aty ku është fajtori. Ka pasur një dëshirë të madhe për të kamufluar vrasjet në bulevard, duke shpikur një teoremë sa qesharake, aq dhe kriminale, të një grushti shteti inekzistent.
Ndodhemi përballë një ngjarje, të cilën Strasburgu nuk mund veçse ta konstatonte si një zinxhir kompetencash të tejkaluara, si një sjellje agresive të shtetit ndaj qytetarëve të vet, dhe më pas, si një tentativë kolektive për të mbuluar provat, duke fshirë kamerat rrotull godinës dhe brenda institucionit, duke penguar Ina Ramën të ekzekutojë fletë ndalimet për gardistët, duke i marrë ata në mbrojtje në ambientet e Kryeministrisë”, theksoi ai./m.j