Avokatët mbrojtës të Sali Berishës nuk u paraqitën këtë të hënë në sekretarinë e Gjykatës Anti Korrupsion për të marrë dy vendime gjyqësore për ish-kryeministrin.
Gjykata e Posaçme ka njoftuar me postë Sali Berishës pranë selisë së PD-së, adresës së shtëpisë dhe pranë Kuvendit, por ka marrë një përgjigje me nënshkrimin refuzuar.
‘Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dërguar nëpërmjet shërbimit postar dëftesat e komunikimit për njoftimin e personit nën hetim z. S. B. pranë selisë së PD-së dhe në adresën e shtëpisë, pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Njoftimi është kthyer me nënshkrimin ‘Refuzuar’. Gjithashtu u dërguan dëftesat e komunikimit edhe avokatëve mbrojtës, përfaqësues të tij me prokurë të posaçme.’- njofton Gjykata.
Njëri nga vendimet i përket datës 26 tetor, në të cilin gjyqtarja Irena Gjoka shpalli detyrim paraqitje në prani të një avokati të caktuar falas nga shteti.
Vendimi i dytë i takon datës 6 nëntor, në të cilin gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve, duke theksuar se nuk është shuar masa e sigurisë ndaj Berishës dhe nuk ekzistojnë kushtet as për të shuar masën ndaj Jamarbër Malltezit.
Kështu, Gjykata ka vendosur t’i dërgojë këto dy vendime përmes postës, në përpjekjen e saj të fundit, duke qenë se dosja ka ngecur në sekretarinë e gjykatës së shkallës së parë.
Nëse as në këtë rast s’ka reagim nga ana e Berishës dhe avokatëve, GJKKO do ta konsiderojë si një refuzim, dhe brenda pesë ditëve do të bëjë referimin e dosjes nga sekretaria në në Gjykatën e Apelit të Posaçëm./m.j
https://pl.roksati.com