I ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News 24, ish kryetari i kuvendit, Namik Dokle rrëfen edhe një moment kur dha dorëheqjen nga kjo detyre.
Ai tha se Kuvendi pati një anormalitet me Gjykatën Kushtetuese dhe zgjodhi të largohet.
Namik Dokle: Para pak kohësh erdhi një senator spanjoll dhe shoqërova në të gjithë takimet që bëri. Ai kishte një raport për sigurinë kibernetike dhe takoi kryetaren e Kuvendit, ministrat, por në programin që u hartua i sugjerova të bëjë takime edhe me opozitën. Nuk mund të vish në një vend dhe të takosh vetëm maxhorancën, pa takuar edhe mendimin ndryshe. Ai takoi disa deputetë dhe mori vesh realitetin e PD dhe kur i thoshin “unë jam përfaqësues i PD”, ai spanjolli i shkretë thoshte “i cilës pjesë të PD”. Atëherë ishin dy pjesë, tani janë bërë 3. Mençuria duhet të ishte te një zgjidhje tjetër dhe jo te kjo që shikojmë në Parlament. Parlamentarizmi ka rregullat e veta. Ato duhen zbatuar si nga maxhoranca dhe nga opozita, përndryshe nuk është parlamentarizëm dhe normalitet. Për një anormalitet që ndodhi në Parlamentin tonë kur u vu në kontradiktë me Gjykatën Kushtetuese unë kam dhënë dorëheqjen nga detyra më e lartë si kryetar Kuvendi. Duhen respektuar rregullat, por si mund të respektohen? Nuk dua të duket sikur po i bie gjoksit, unë kam qenë 8 legjislatura deputet dhe nuk mund të dalë asnjë deputet që të thotë që Dokle ka sharë ndonjë deputet. Madje më kujtohet një rast që një deputet i joni bëri një gabim dhe grupi i PD kërkoi dënimin e tij. U mblodh Këshilli i Mandateve dhe e përjashtuam, por po mundohesha ta mbroja deputetin e grupit tim dhe u thosha “Parlamenti i ka ndonjëherë edhe këto gjëra”. Një deputet i PD më tha “vetëm ju nuk duhet ta thoni këtë gjë, se ke 8 legjislatura që bën politikë të rëndë, por nuk thua kurrë fjalë të rëndë”. E mora si kompliment.
Që nga ajo kohë deri tani gjërat kanë ndryshuar…
Kanë ndryshuar. Unë kur kam qenë kryetar i grupit parlamentar të PS kam pasur 9 profesorë dhe akademikë me tituj, që nga Nano, Cani, Angjeli, Ermelinda Meksi, profesorë si Servet Pëllumbi, shkrimtarë e gazetarë si Halil Lalaj dhe Musa Ulqini, gjuhëtar dhe shumë të tjerë që ishte një nder ti kishe. Ata kishin edhe peshën e tyre të rëndë në kuptimin e inteligjencës dhe kur ndonjëri lexonte gazetën në mbledhjen e grupit nuk i thoja Sabitit (Brokaj) lëre gazetën, por i thoja Musa Ulqinit “mbylle gazetën”. Musai nuk kishte gazetë fare, por Sabiti dëgjonte dhe e mbyllte. E keqja e kësaj kohe që po jetojmë ne është që intelektualët janë zëvendësuar nga opinionistët dhe poetët janë zëvendësuar nga kantautorët. Janë të rëndësishëm edhe opinionistët dhe kantautorët, por duhet bërë ndarja.
A vlen ky titull “10 gramë nder” për të gjithë deputetët që marrin pjesë në Kuvend?
Do të dëshiroja që ai titull të vlejë për të gjithë. Ndonjëherë njeriu ka nevojë të gënjejë veten dhe jo vetëm të gënjehet. Por meqenëse ne gënjehemi shumë është mirë të mos gënjejmë veten ose kur gënjejmë veten kjo të mos zgjasë më shumë se 24 orë.
O Dokle, si Goran i mirë që je, dhe socialist i thekur i Shqipërisë, na thuaj publikisht, a je edhe ti shtetas Bullgar, si yt vëlla familiarisht, si dhe të gjithë goranët ?
Me që kemi censin nëpër këmbë, jo për gjë tjetër.