Drejtoria e Përgjithshme Detare informoi sot se në datat 10-11 nëntor moti do të përkeqësohet.
Sipas DPD-së, në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar përgjatë bregdetit shqiptar era do të ketë drejtimin jug-jug-lindje, me shpejtësi ere 15-20 m/s, në forcën 6-7bft dhe lartësi dallge nga 2.00 deri 3.00 metra.
Drejtoria e Përgjithshme Detare informoi se “është ndaluar dhënia e leje – nisjes për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë të njoftohen për marjen e masave për sigurimin e tyre”.
“Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda kanë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre. Ndërkohë që janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara për parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 10-11 nëntor”, theksoi DPD.
DPD bëri të ditur se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 16:00 të datës 11 nëntor.
/f.s