Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka zbardhur vendimin Dritan Rexhepaj të arrestuar sot në Stamboll. Në vendimin që mban datën 11 maj 2023, kolegji ka marrë në shqyrtim çështjen në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”.
Në pjesën e parë të këtij vendimi zbardhet mënyra se si Dritan Rexhepaj ka falsifikuar identitetin dhe ka marrë një pasaportë me emrin Lulëzim Murataj, teksa ishte në kërkim nga drejtësia.
Një pjesë nga vendimi i Gjykatës
Në datën 23.01.2015 është bërë sekuestrimi i praktikave të aplikimit nr. 11031131526151985, për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike datë aplikimi 31.10.2011, qendër aplikimi Levan, kodi 162 për shtetasin Lulëzim Murataj, me nr. NID H90423059H i datëlindjes 23.04.1979, lindur në Kotë Vlorë. Ky aplikim është bërë nga operatori me kod EA000381.
Është sekuestruar gjithashtu edhe formulari i të dhënave personale marrë nga sistemi qëndror me nr. Identifikimi në sistem ID582065, për shtetasin Lulëzim Murataj. Kompania Aleat Safran Group me shkresën nr. ref JAJ 15-0218, datë 13.03.2015 ka sqaruar se operatori që ka plotësuar këtë formular është punonjësi i qendrës së aplikimeve në Levan të Rrethit Fier, shtetasi Anton Përlala.