Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar lidhur me arrestimin e ‘bosit’ të trafikut ndërkombëtar të drogës, Dritan Rexhepi. Ky i fundit u vu në pranga nga autoritetet turke në Stamboll, ndërsa Balla shton se ky aksion ishte pjesë e bashkëpunimit me organet turke.
Balla paralajmëron se do të ketë të tjera tentativa për të arrestur të tjerë të shumëkërkuar.
“Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund. Arrestimi i personit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare Dritan Rexhepi, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të një sërë agjencish ligjzbatuese nga disa vende partnere, është një rezultat i rëndësishëm. Ditën e hënë do të takohem në Lion me drejtuesit më të lartë të Interpol për ta çuar në një nivel tjetër goditjen e krimit të organizuar”, shkruan Balla.
Dritan Rexhepi është një ndër emrat më të lakuar të drejtësisë shqiptare. I njohur si komandues i trafikut të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në Europë, Rexhepi ka mundur t’i shpëtojë disa herë drejtësisë, përmes edhe arratisjeve të bujshme.
Po ashtu, ai dyshohet si porositës i pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës, ku shkak dyshohet të jenë konfliktet me të vëllain e viktimës, për shkak të pazareve të drogës.
/a.r