Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka sqaruar sot në Top Story se pse kryeministri Edi Rama nënshkroi marrëveshjen e refugjatëve me homologen italiane, para konsultimit publik.
“Kur një marrëveshje nënshkruhet mes dy kryeministrave, kalon në të dyja qeveritë. Në muajin gusht është ngritur një grup pune, ku ka qenë ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, i Mbrojtjes, e Shëndetësisë, Policia e Shtetit, që kanë hartuar këtë marrëveshje. Nuk u zgjua një ditë…këto janë punë të qeverisë jo të diskutimeve publike. Ajo marrëveshje ka kaluar në Këshillin e Ministrave më 6 nëntor, pastaj Rama e ka nënshkruar. Ka pasur diskutime, sugjerime, ndryshime të tekstit fillestar, e deri në produktin final që u nënshkrua. Për një çështje që vjen para konsultimit me BE, është konsultimi publik. Ligji për konsultimet publike në nenin 4 specifikon që marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë objekt i konsultimeve publike. Kjo marrëveshje do ndjekë këtë rrugë ligjore. Nuk ka dalë nga një xhep për të hyrë në një xhep tjetër, për të hyrë fshehurazi nga një derë. Nuk e kërkon ligji, konsultimi publik vjen pasi nënshkruhet marrëveshja. Ne gjykojmë që marrëveshja është e domosdoshme dhe i bën nder Shqipërisë. Shqipëria ka pranuar që të nënshkruajë një marrëveshje të tillë e cila është në vazhdën e përvojave që kanë dëshmuar që Shqipëria është një vend që është gati të japë siguri dhe të jetë pjesë e marrëveshjeve të rëndësishme”– u shpreh Spiropali në Top Story.