U zhvillua në Tiranë eventi Final i Projektit “To Be Ready” – IPA Interreg CBC, financuar nga BE me pjesëmarrjen e partnerëve dhe përfituesve të kësaj nisme, ku partnerët prezantuan arritjet e këtij projekti dhe objektivat në vazhdim.
Drejtori i Përgjithshëm i AKMC, z. Haki Çako, gjatë fjalës së tij u ndal në rëndësinë e zbatimit të këtyre projekteve për Sistemin tonë të Mbrojtjes Civile dhe mirënjohjen ndaj Bashkimit Europian për Financimin e iniciativave të tilla për frymën bashkëpunuese me partnerët e këtij projekti.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte JS i projektit, z. Davide Marcianò, i cili përshëndeti realizimin e këtij projekti strategjik duke ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal ndërmjet partnerëve.
Rajoni i Molise, Partneri Lider i Projektit, me z. Camillo Marracino – menaxher i projektit dhe z. Antonio Cardillo prezantuan në mënyrë shteruese aktivitetet e kryera në kuadër të projektit “To Be Ready”.
Gjatë ceremonisë, Z. Maurizio Bruno, përfaqësues politik i Rajonit të Pulias, në emër të Presidentit z. Michele Emiliano, i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, z. Haki Çako, dekoratën e Departamentit të Mbrojtjes Civile Pulia në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e mirë midis dy institucioneve.
Përshëndetje dhe përgëzime për arritjet u bën edhe nga z. Andrea di Lucente, Këshilltari për Politikat Komunitare dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar pranë rajonit të Molises dhe Znj. Barbara Valenzano, Drejtore e Mbrojtjes Civile në Rajonin e Pulies.
Të pranishëm ishin z. Afrim Qedro, Prefekti i Qarkut Tiranë, z. Nertil Jole, Prefekti i Qarkut Korçë, znj. Holta Komino, Drejtoreshë e Drejtorisë së MZSh në Ministrinë e Brendshme, si dhe shumë autoritete, ekspertë dhe përfaqësues nga institucione të tjera përfituese në nivel qëndror dhe vendor.