Media britanike “Sky News” ka parë dokumente të reja që detajojnë planin e diskutueshëm të Italisë për të dërguar azilkërkues në Shqipëri, duke treguar se ai është shumë më pak radikal sesa propozimi i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar njerëz në Ruandë.
Në shkrimin e “Sky News” thuhet se nëse një emigranti i jepet azil, atëherë personi do të çohej në Itali për të filluar një jetë të re.
Dokumenti i marrëveshjes bën gjithashtu të qartë se synon të promovojë “bashkëpunimin dypalësh në të gjithë sektorët” në dritën e “aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Sipas marrëveshjes thuhet se është rënë dakord që numri i përgjithshëm i emigrantëve të strehuar njëkohësisht në këto qendra të mos t’i kalojë 3 mijë.
Italia do të paguajë për ndërtimin e qendrave të përpunimit dhe gjithashtu do të ndajë një fond prej 100 milionë euro për të mbuluar çdo kosto që Shqipëria mund të ketë.
Sipas “Sky News”, dy zëvendëskryeministrat e Melonit, Antonio Tajani dhe Mateo Salvini (o. Matteo) nuk ishin në dijeni të marrëveshjes deri pak para shpalljes së saj.
BE-ja ka kërkuar më shumë detaje për planin për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, pas pyetjeve nëse ai respekton ligjin evropian.
Meloni thuhet se po planifikon të udhëtojë në Tiranë, në pranverë dhe dëshiron që kampi i parë të hapet në maj 2024, pak para zgjedhjeve evropiane.
/f.s