Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca i ka dorëzuar zv/kryeministres Belinda Balluku progres-raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, të cilin e prezantoi dje Komisioni Europian dhe që përmban planin e ri të zgjerimit të unionit.
Në konferencën për mediat, Soreca tha se progres-raporti publikohet në një kohë pozitive, kur zgjerimi është rikthyer në axhendën e Bashkimit Europian.
“Kjo paketë ndodh në një kontekst të veçantë, që bazohet në dy zhvillime shumë të rëndësishme politike në kontinentin tonë. Së pari zgjerimi është kthyer sërish në axhendën politike të Be-së, në një mjedis jopolitik që ndryshon shpejt, për të cilin BE ka vepruar si e tërë, fuqimisht bashkë me partnerët më të rëndësishëm, duke përfshirë Shqipërinë. Ka tashmë një konsensus se një zgjerim i besueshëm në bazë meritash është shtytësi kryesor i transformimit, duke rritur sigurinë kolektive dhe mirëqenien ekonomike. Ne duhet t’i përgjigjemi thirrjes së historisë dhe të punojmë për përshpejtimin e zgjerimit të BE dhe plotësimit të bashkimit.”
Ai e vendosi theksin te konvergjenca ekonomike, që siç edhe Presidentja e KE, Ursula von der Leyen nënvizoi dje, do të përbëjë elementin kryesor për të afruar Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor me BE.
“Aktualisht konvergjenca ekonomike nuk është e kënaqshme as në termat e reformave as në termat socio-ekonomik, dhe po i mban pas vendet e BP. Qëllimi i këtij plani është që këto vende të kenë përfitime shumë më përpara anëtarësimit dhe që mund të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët e vendeve të BP dhe ky është hap që bëhet për herë të parë. Plani i rritjes synon të përmirësojë integrimin ekonomik të rajonit në tregun e vetëm të BE.”
Sa i përket marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë për strehimin e emigrantëve, Luigi Soreca tha se KE është informuar, por palët s’janë konsultuar me të.
“Komisioni Europian është informuar, por jo konsultuar. E kemi marrë tekstin dy ditë më parë dhe po vijojnë vlerësimet. Teksti është hapi i parë dhe do të përkthehet në ligj, këtu do të bëjmë vlerësimin tonë. Pra, për momentin është e parakohshme që t’i japim vlerësim marrëveshjes”.
/a.r