Një zyrtar i mbështetur nga Rusia është vrarë pas shpërthimit me bombë të makinës së tij, në qytetin e pushtuar lindor të Luhanskut.
Për ngjarjen e ndodhur të mërkurën ka marrë përgjegjësinë e plotë Ukraina.
Mikhail Filiponenko, një ligjvënës në asamblenë e instaluar nga Kremlini, ka qenë edhe ish-kreu i ushtrisë së të ashtuquajturës Republika Popullore e Luhanskut (LPR). Ai kishte qenë aktiv në lëvizjen separatiste pro-ruse të rajonit që nga viti 2014.
Autoritetet ukrainase dhe ruse raportuan lajmin e vrasjes së Filiponenko.
Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës mori menjëherë përgjegjësinë dhe paralajmëroi të tjerët që i shërbenin “Rusisë terroriste” se do të merrnin një formë të ngjashme “shpagimi” për tradhtinë ndaj Kievit.
“Një operacion special për eliminimin e xhelatit Filiponenko u zbatua së bashku me përfaqësuesit e lëvizjes së rezistencës. Filiponenko ishte përfshirë në organizimin e dhomave të torturës në territoret e pushtuara të rajonit Luhansk, ku të burgosurit e luftës dhe pengjet civile iu nënshtruan torturave çnjerëzore. Filiponenko torturonte brutalisht njerëzit personalisht”, thuhet në reagimin e Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës në Telegram.
Ndërkohë, komiteti Hetues i Rusisë tha se kishte nisur një hetim penal për shpërthimin.
“Sot në mëngjes një mjet i paidentifikuar shpërtheu nën pjesën e poshtme të makinës, duke vrarë Mikhail Filiponenko. Është hapur një çështje penale”, thuhet në Telegram.
/f.s