Leonard Berberi, gazetar i “Corriere Della Serra” ka folur sot përmes një lidhjeje Skype për gazetarin e Klan News Besard Jacaj, sa i takon marrëveshjes së nënshkruar dje mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Mbi këtë çështje Rama ka filluar të diskutojë me Melonin që në pranverën e këtij viti. Ajo çështje është përforcuar ose konsoliduar gjatë vizitës së Melonit në verë në Shqipëri. Është finalizuar në ditët e fundit derisa dje u bë publike”, u shpreh fillimisht Berberi.
Më tej ai u ndal te detajet e marrëveshjes për refugjatët, duke theksuar se vendi ynë do presë 3 mijë persona në muaj të cilët do të strehohen në dy qendra deri në shqyrtimin e plotë të kërkesave të tyre për azil. Sipas Berberit, nuk dihet se sa do të zgjasë kjo marrëveshje, por financimi dhe menaxhimi do të jetë 100% i shtetit italian.
“Shumë aspekte janë akoma sekrete. Ajo që dimë është se për të gjithë menaxhimin dhe ndërtimin e qendrës së strehimit në Shqipëri, të gjitha kostot, ideja e projekti do jenë 100% të shtetit italian. Shteti shqiptar do i japë si të themi një pjesë të tokës shqiptare autoriteteve italiane për të administruar këtë fenomen. Dimë që edhe ka një kufizim të numrit të refugjatëve që do të strehohen në Shqipëri. Do të jenë 3 mijë persona fillimisht dhe numri 36 mijë është sepse mendohet se do brenda vitit do bëhet aq. Pra 3 mijë persona në muaj. Nuk diskutohet që nëse koha për të procesuar kërkesat e strehimit politik, nëse shkon më shumë se një muaj, nuk do të shtohen persona të tjera. Kjo është struktura e marrëveshjes, numri maksimal do jetë 3 mijë persona. Se sa do të zgjasë nuk dihet, kjo akt-marrëveshje do dërgohet në Parlament për aprovim.”
/a.r