Pushimet e fundvitit nuk janë larg dhe shumë mund të jenë duke menduar se ku do t’i kalojnë ato. Përjashtim nga kjo nuk bëjnë edhe italianët, të cilët këtë vit do të ndeshen me një situatë aspak të favorshme sa i përket çmimeve të biletave të avionëve, të cilat pritet të arrijnë majat.
E përditshmja italiane jep një panoramë të çmimeve për Krishtlindje. Për ata që planifikojnë një udhëtim më 22 dhjetor në Katania, nëse do të nisen nga qyteti i Milanos një biletë vetëm vajtje do t’u kushtojë qytetarëve italianë 206 euro, 231 euro nëse nisen nga Bolonja, 239 euro nëse nisen nga Torino dhe 242 euro nga qyteti i Firences.
Çmimet fillojnë të bëhen edhe më të kripura me afrimin e datës së festës së Krishtlindjes. Për të fluturuar drejt Palermos më 23 dhjetor, sërish për një biletë me një drejtim, kostoja minimale do të jetë 143 euro duke filluar nga Roma, 220 euro nga Milano, 269 euro nga Torino dhe 314 euro nga Bolonja.
Por ajo çfarë është paradoksale, sipas medias italiane, është se çmimet janë më të përshtatshme për udhëtarët nëse duan të shkojnë nga veriu i Italisë për në jug të ndalojnë në Tiranë.
Nëse ata vendosin të kalojnë tranzit nga kryeqyteti shqiptar çmimi i një fluturimi mund të bjerë me 50 euro. Megjithatë, nëse kjo zgjidhje do të ishte ideale sa i përket çmimit nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kohën e udhëtimit. Edhe ndalesa në qytetin e Parisit mund të jetë më e përshtatshme për udhëtarët që dëshirojnë të lëvizin nga Bolonja në Katania midis 21 dhjetorit dhe 6 janarit ku pritet të kursejnë gati 200 euro.
Shoqata e konsumatorëve Codacons, e cila edhe ka publikuar shifrat ka ngritur alarmin ndërsa kërkon nga qeveria të mbrohen rregullat e konkurrencës.
/a.r