Trupat e dy bashkëshortëve italianë, 54 dhe 47 vjeç, u gjetën në një apartament në Via Piave, në Corbetta, në zonën e Milanos.
Trupat e pajetë u gjetën nga djali 24-vjeçar i çiftit në dhomën e gjumit. Të dy trupat, sipas gjetjeve fillestare, kishin plagë me thikë. Hetimet e Seksionit të Hetimeve Shkencore të Karabinierëve të Milanos janë duke zbardhur ngjarjen.
Vrasje-vetëvrasje. Kjo është hipoteza kryesore e hetuesve në lidhje me dy bashkëshortët e gjetur të vdekur pasditen e sotme në banesën e tyre.
Sipas karabinierëve, të cilëve u është besuar hetimi, ka të ngjarë të ketë qenë gruaja (shtëpiake 47-vjeçare me origjinë liguriane) që ka goditur disa herë me thikë të shoqin, i cili është goditur në gjumë. Më pas, me të njëjtën armë (të gjetur nga hetuesit pranë trupit të saj), gruaja është vetëvrarë. Sipas informacioneve fillestare, 47-vjeçarja vuante nga probleme psikiatrike dhe sipas dëshmive të disa të afërmve, ajo kishte tentuar të vetëvritej në të kaluarën.
/a.r