Në Shqipëri, të gjithë treguesit demografikë që ndikojnë në plakjen e popullsisë janë në përkeqësim të vazhdueshëm. Mosha mesatare 39 vjeç, shtesa natyrore e popullsisë në prag të rritjes negative apo emigracioni i lartë, kryesisht i të rinjve, po e plakin me ritme të shpejta popullsinë.
Sfidat sipas ekspertëve janë të mëdha, dhe vendi nuk është i përgatitur mjaftueshëm për t’u përballur me to.
Ky fenomen ka prekur mjaft vende të zhvilluara, por studiuesit vërejnë se pasojat në Shqipëri janë më të rënda për shkak të një ekonomie më të dobët.
Ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 39 vjeç nga 33 që ishte një dekadë më parë. Studiues të zhvillimeve shoqërore vënë re me shqetësim se të gjithë treguesit demografikë që ndikojnë në plakjen e popullsisë janë përkeqësuar. Rënia e numrit të lindjeve është një prej tyre.
Në dhjetë vitet e fundit ai ka rënë me 30%, ndërsa vetëm vitin e kaluar ra me 10% krahasuar me atë paraardhës.
Numri i lindjeve aktualisht është 1. 2 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese dhe prej dy dekadash është nën kufirin prej 2.1 i nevojshëm për ripërtëritjen e popullsisë. Mjekët janë të parët që e ndjejnë këtë fenomen.
“Jam i lumtur kur vjen një grua me fëmijën e tretë, sepse janë raste të rralla. Mosha e grave që lindin për herë të parë u rrit nga 19-21 vjeç rreth viteve “90, në 29-30 vjeç aktualisht.
Kjo sjell reduktim të popullatës sepse dhe fëmija i dytë vjen më vonë dhe sjell uljen e numrit”- thotë për Zërin e Amerikës Astrit Bimbashi Shef i Shërbimit të Obstetrikës në Maternitetin Koço Gliozheni.
Megjithëse qeveria vendosi 4 vjet më parë disa stimuj financiare për nënat që sjellin në jetë fëmijë (40 mijë lekë për fëmijën e parë, me rritje progresive për fëmijën e dytë 80 mijë, për të tretin 120 mijë lekë, e kështu më radhë) kjo nisëm nuk ndikoi në rritjen e numrit të lindjeve.
Njohës të fushës vënë theksin në përpilimin e politikave të qëndrueshme për shërbimin ndaj gruas shtatzënë (Feto-Amtar), larg strategjive globaliste të shëndetit riprodhues, pasi Shqipëria ka një popullsi në rënie të vazhdueshme.
“Kemi reaguar fort për strategjinë e fundit të shëndetit riprodhues, sepse mbi të do të bëhet një ligj i ri. Për fat të keq kjo strategji kishte përdorur 217 herë fjalën kontracepsion, kurse grua shtatzënë vetëm një herë, që ne nuk na shkoi.
Nuk mund të flasësh për kontracepsion në një popullatë që gati gati është zero nataliteti me vdekjet. Kjo është arsyeja që ne kërkojmë, që dhe për hir të situatës ku jemi, shërbimin Feto-Amtar ta nxjerrim jashtë shëndetit riprodhues.
Sepse në fund të fundit kjo është një politikë globaliste dhe jemi vend i vogël, nuk jemi as Kina as India që të ndjekim pas politikat e tyre”-vijoi Astrit Bimbashi Shef i Shërbimit të Obstetrikës në Maternitetin Koço Gliozheni.
Në Shqipëri shtesa natyrore ka rënë mënyrë drastike në rreth 700 persona në vit nga 64 mijë që ishte në vitin 1990. Megjithëse Shqipëria vazhdon të ketë shtesë pozitive të popullsisë, emigracioni i lartë bën që rritja të jetë negative.
Sipas një ankete të publikuar nga INSTAT për emigracionin për vitet 2011-2019, grupmosha 20-39 vjeç përbën rreth 68% të totalit prej afro 177 mijë qytetarëve të larguar nga vendi. Sipas së njëjtës anketë 50% e tyre janë të rinj të moshës 15-29 vjeç.
Ekspertët thonë se largimi i të rinjve po e plak me shpejtësi popullsinë dhe pasojat sociale në të ardhmen sipas tyre do të jenë të rënda.
“Largimi i të rinjve nga vendi do ndjehet pak me vonë kur sasia absolute e personave që përbëjnë forcën e punës, nëse vijojnë këto ritme do bjerë në mënyrë domethënëse dhe nuk do të ketë mekanizma të tjerë për t’i mbajtur, ose për t’i zëvendësuar” – u shpreh për Zërin e Amerikës, Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Administrim Biznesit dhe Drejtësisë, në Tirana Business University College.
Studiuesja Nevila Xhindi mendon se çdo shoqëri ka nevojë të vazhdueshme për ide të reja.
“Pyetja lind natyrshëm, me kë? Sipërmarrja, inovacioni kërkon mendje të reja energji të reja, kërkon krah punë të ri. Grupmosha e punës në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm.
Janë reduktuar idetë, mendimet, sipërmarrjet. Ka ndryshuar burimi i financimit nga qeveria, e cila nuk mund të vërë para në dispozicion për inovacion dhe mendim të ri, por duhet t’i përdorë për të plotësuar pensionet, shëndetësinë të gjithë shërbimin social që e ndjek këtë proçes”- u shpreh për Zërin e Amerikës Nevila Xhindi, Studiuese.
Autoritetet thonë se kanë hartuar një strategji të posaçme 7 vjeçare si dhe kanë miratuar një ligj për rininë, me qëllim për të frenuar emigracionin e të rinjve.
Për të rinjtë që nuk janë as në punë dhe as në shkollë qeveria ofron praktikë pune, mundësi punësimi ose praktikë profesionale.
Ndër politikat rinore siç shpjegon Ministria për rininë dhe fëmijët Bora Muzhaqi, në përgjigjen me shkrim për Zërin e Amerikës, janë dhe trajnimet 6-12 mujore për kodimin, për t’u dhënë mundësi të rinjve, që të hyjnë në tregun ndërkombëtar të punës, pa u larguar nga
Shqipëria, rritja e pagave në administratën publike, kreditimi për blerjen e banesave për çiftet e reja në disa sektorë apo përmirësimi i infrastrukturës në arsimin bazë dhe atë të lartë.
Por sfidat përballë moshimit të popullsisë janë të shumta. Jetëgjatësia në Shqipëri është rritur me thuajse 2 vite krahasuar me një dekadë më parë.
Ekspertët thonë se skema e pensioneve, pra raporti mes kontribuesve për një përfitues, po dëmtohet nga fenomeni i plakjes së popullsisë.
“Popullsia në moshë pune po ulet dhe popullsia nën moshën e punës nga 0-14 vjeç është më e ulët se popullsia që del në pension.
Në vitin 2013 raporti kontriubues përfitues ishte 1 me 1, raporti u përmirësua në vitin 2015 në 1.32 kontribues për një pensionist.
Pas vitit 2018 filluan të ndjehen proçeset demografike dhe për rrjedhojë vitin e kaluar raporti mes kontribuesve dhe pensionistëve ra në 1.17”- tha për Zërin e Amerikës Koço Broka ekspert i ekonomisë.
Pedagogu i sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT Julian Bejko, thotë për Zërin e Amerikës se pasojat e një popullsie të plakur janë të mëdha sidomos në vende si Shqipëria me ekonomi të dobët dhe mangësi në shërbimet sociale.
“Plakja sjell nevojën për të patur një logjistikë gjithnjë e më të madhe në mirëmbajtjen e këtyre njerëzve. Kjo logjistikë do njerëz. Ne na mungojnë mjekët, infermierët. Flas për profesione që nevojiten për mirëmbajtjen e tyre.
Kjo nuk mund të zgjidhet duke u kyçur diplomat studentëve të mjekësisë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Julian Bejko, Pedagog i sociologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale UT.
Eksperti i ekonomisë Elvin Meka, vëren se edhe strukturat shëndetësore me plakjen e vazhdueshme të popullsisë do të vihen nën vështirësi.
“Prirja do të vijojë edhe në 5 apo 10 vitet e ardhshme dhe do ketë nevojë për më shumë shërbime shëndetësore. Strukturat spitalore ose shëndetësore që qeverisen me para publike do të vihen në presion gjithnjë e më të madh dhe do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë për fonde dhe kërkesë për fonde dhe investime shtesë.
Këto para do dalin nga diku, do të hiqen nga diku për t’u shtuar në pjesën e infrastrukturës mbështetëse të kujdesit shëndetësor”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Administrim Biznesit dhe Drejtësisë, në Tirana Business University College.
Zëri i Amerikës kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reagim në lidhje me politikat mbi lindjet apo shëndetin riprodhues por nuk mori përgjigje.
Nga ana tjetër në një raport të fundit të BB, nënvizohet se popullsia e Shqipërisë po plaket shumë më shpejt se grupi i vendeve me të ardhura mesatare të larta ku ajo bën pjesë.
Përqindja e të moshuarve në varësi të popullisë në moshe pune, është thuajse e njëjtë me vendet me të ardhura të larta, prej 16% ndërsa ky tregues për vende si Shqipëria është 8%. Në këtë raport thuhet se vendeve si Shqipëria ju duhet të përballen me sfidat e vendeve të zhvilluara kur bëhet fjalë për plakjen e popullsisë, pra të kompensojnë një fuqi punëtore në tkurrje me qëllim për të financuar pensionet dhe kujdesin për një popullsi të plakur.
Shqetësimi për BB mbetet fakti se mjaft vende si Shqipëria me të ardhura mesatare të larta mund të plaken para se të pasurohen./VOA