Studentët e Kosovës në 4 mars të vitit 1981 organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre.
Kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët në datën 11 mars, e cila njëlloj si protesta e parë u shtyp me dhunë nga policia dhe u paraburgosën disa studentë.
Kështu nisi zinxhiri i demonstratave të vitit ’81. Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur, transmeton KosovaPress.
Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe armata jugosllave paraqet prezencën e saj.
Pas dy muajsh në territorin e “Krahinës Socialiste të Kosovës” vendoset “Gjendja e jashtëzakonshme” e më vonë edhe shtetrrethimi. Ky zinxhir vazhdon deri me fillimin e luftës në Kosovë.
Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të vitit, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ.
Kryengritja popullore e marsit dhe prillit e vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar. Në demonstratat e vitit 1981 për herë të parë u kërkua që Kosova të jetë Republikë. Kjo parullë ishte motoja kryesore në atë kohë.
Me rastin e 35 vjetorit të demonstratave studentore, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot do të presë në takim një grup të ish të burgosurve politikë.