Orët e fundit në mediat e Prishtinës është publikuar drafti për Asosacionin, por qeveria e vendit ka mohuar që të jetë ai që është dakordësuar nga kryeministri Kurti.
Shumë pikëpyetje ka për dokumentin që Kurti ka pranuar të firmosë dhe Vuçiç jo, ndërsa publiku nuk e njeh ende.
I ftuar në “Debat” me Alba Alishanin, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se ai vetë nuk e ka parë dokumentin teksa shtoi se beson që asnjë nga kolegët e Kosovës nuk është konsultuar me draftin në fjalë.
“Për mua është e papranueshme dhe e padrejtë nëse Kurti i tha po, një dokumenti të tillë dhe nuk e ndan me publikun,” shtoi ai.
Për Hoxhajn, Kurti nuk po tregohet transparent duke fshehur përmbajtjen e një dokumenti që ka pranuar të firmosë. Megjithatë, ai shtoi se shpreson që kreu i qevrerisë ta sjellë draftin në seancën plenare që do të mbahet të premten në Kuvend.
Sa i përket draftit që po qarkullon në platformën ËhatsApp, diplomati bëson se nuk bëhet fjalë për një dokument serioz.
Meqë nuk e kam parë, nuk mund të them që është i njëjti. Po sa pashë strukturën, ishte më shumë një përbërje, një lloj koncepti, rreshtim i temave, sesa një dokument.
Kujtojmë se të premten e shkuar, pas takimeve maratonë në Bruksel liderët evropianë i kërkuan Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.
Deklarata u bë nga Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
/a.r