Kryetari i bashkisë Pali Kolefski thotë se regjistrimi i popullsisë ka vijuar i qetë e nuk ka pasur tensione, pavarësisht interferimeve tek qytetarët për deklarimin e etnisë.
Në bashkinë e vogël të Pustecit jeton një komunitet i vogël i njohur si maqedonas. Dikur,njësia lokale përbënte komunën e Liqenasit.
Edhe pse nuk plotësonte kriteret për të qenë bashki, ish-komuna Liqenas u kthye në bashkinë Pustec në respekt të të drejtave të minoritarëve. Në këtë bashki të vogël, ka zbritur përplasja mes bullgarëve dhe maqedonasve. Këta të fundit, pretendojnë se shteti bullgar po tenton të shtrijë ndikimin tek qytetarët që ata të deklarohen bullgarë.
Edhe në këtë zonë të rinjtë kanë emigruar me pasaporta bullgare.
“Të tërë të rinjtë janë larguar, tani ka presione nga bullgaria po të mos deklaroheni bullgarë do t’ua marrim pasaportat, tani njerëzit kanë frikë, në fakt nuk janë këtu nuk e di se si do të bëhet ky deklarim” u shpreh banori i Pustecit
Kryetari i bashkisë Pali Kolefski thotë se regjistrimi i popullsisë ka vijuar i qetë e nuk ka pasur tensione, pavarësisht interferimeve tek qytetarët për deklarimin e etnisë.
“Në dijeninë time nuk ka patur, përjashto presionin që kanë për të bërë detyrën sa më mirë, përfaqësuesit e instat janë në terren, ka edhe të nivelit të lartë kontrollues ose përgjegjës që janë për qarkun e korçës dhe ata kanë asistuar në regjistrim se si të zhvillohet ky proces me qëllim që të mos keqinterpretohet qoftë nga njerëzit qoftë nga regjistruesit” u shpreh Pali Kolefski, Kryetar i Bashkisë Pustec
Investimet nga Bullgaria kanë lënë gjurmë të dukshme në qendrën shëndetësore të zonës por edhe në mjetin zjarrfikës të dhuruar. Kryebashkiaku citon se bashkia aplikon për të përfituar fonde jo vetëm nga Bullgaria e Maqedonia, por edhe nga shtete e shoqata të ndryshme jofitimprurëse. Por me sa duket, faktori bullgar është imponuar përmes investimeve.
“Kemi patur disa projekte që janë nga shoqata joqeveritare, jo nga shteti bullgar. Na kanë mbështetur me ofrimin e një mjeti zjarrfikës, autoambulancë, pajisjen e disa shkollave e banka dhe karrige” u shpreh Pali Kolefski, Kryetar i Bashkisë Pustec
Vasil Sterjovski, ish-deputet me prejardhje maqedonase nga partia Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, thotë për Inside Story se Bullgaria ka ndërhyrë ne census duke shkelur Konventën e Vjenës. Ai thotë se janë shpërndarë pajisje elektronike dhuratë për banorët në mënyrë që të vetëdeklarohen bullgarë.
/a.r