Zbulohet draftstatuti i propozuar nga kryeministri Edi Rama për një marrëveshje Kosovë-Serbi.
Ky dokument që më 7 qershor iu dërgua presidenti francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz, ka 3 objektiva kryesorë. Ai synon implementimin e Marrëveshjes Bazë të vitit 2013 si dhe atë të 2015-ës, krijimi një kornize për vetëmenaxhimin me autonomi thelbësore për komunitetin serb të Kosovës si dhe Mbrojtjen e dyfishtë.
Në propozimin e tij, Rama thekson se statuti i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese, ndërsa asociacioni nuk duhet të zëvendësojë, t’í mbivendoset ose të reduktojë të drejtat e asnjë prej komuniteteve me banim në këto komuna.
Lidhur me funksionimin e kësaj bashkësie komunash, Rama parashikon një strukturë organizative duke përfshirë Asamblenë, Presidentin dhe zv/presidentin, Bordin, grupin këshillues, administratën dhe zyrën e ankesave”.
Sa u përket marrëdhënieve me autoritetet qendrore, Rama sugjeron që kjo bashkësi të mos zëvendësojë apo minojë marrëdhëniet kushtetuese e ligjore mes autoriteteve qendrore dhe lokale në Kosovë.
Po ashtu, sipas tij, dy vitet e para pas nisjes nga puna, bashkësia do të monitorohet nga BE.
Struktura e re që sugjeron kryeministri Rama është që bashkësia mund të hartojë këshilla dhe ekspertizë teknike në hartimin e legjislacionit, siç bën Këshilli Konsultativ për Komunitetet”.
Në përfundim të draftit thuhet se ai ka marrë edhe mbështetjen e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe SHBA, ndërsa pavarësisht kundërshtive fillestare, edhe Kosova edhe Serbia e kanë cilësuar si një bazë të mirë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Draft-Statuti mbështetet nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara. Draft-Statuti nuk shkel asnjë vijë të kuqe të Kosovës. Draft-Statuti ve në dukje prioritetet kryesore të Serbisë”.
Kur u propozua nga Kryeministri Rama, në Shqipëri e Kosovë shpërthyen akuzat kundër tij, ndoshta edhe për faktin se drafti nuk ishte publik.
Por ai u përshëndet nga emisarët e BE dhe SHBA, Lajçak e Escobar, ndërsa Brukseli e vlerësoi si serioz.
Pranimi i propozimit të kryeministrit Rama bëhet kështu për herë të parë një bazë e ndërtimit të një dokumenti të Bashkimit Europian për një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.
Ai parashikon edhe mënyrën e financimit të asociacionit, me kontribute nga anëtarët, autoritetet e Kosovës, grante të tjera dhe donacione përfshirë edhe nga Serbia.
Buxheti dhe shpenzimet të jenë subjekt i një mbikqyrjeje të një periudhe 5-vjeçare nga Bashkimi Europian dhe që mund të rinovohet, ndërsa Auditi i Përgjithshë i Kosovës do të bëjë kontrolle të jashtme ndaj Asociacionit në përputhje me ligjin./m.j