Arjan Seferi tregon, se bashkë me nënën dhe motrën kanë patur një apartament në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë.
Pallati u shemb pas dëmtimeve të tërmetit dhe procedurën për bonus qiraje dhe apartament të ri, e ndoqën në emër të nënës.
“Njëri nga ne të tre duhej të bënte aplikimin për të marrë shtëpinë. Mami ishte mirë me shëndet dhe nuk kishim si dilja as unë e as motra para mamit. Mami domethënë dolëm fitues”, tha denoncuesi.
Për fat të keq, në Gusht 2022 nëna ndërron jetë dhe fëmijët dorëzojnë çeljen e trashëgimisë.
Por në Mars 2023 iu hiqet bonusi i qirasë dhe skualifikohen nga përfitimi i apartamentit, pasi nëna e tyre, ka qenë e vetme në certifikatën familjare.
“Bëra çeljen e trashëgimisë dhe e dorëzova tek njësia bashkiake. Më 3 Mars të këtij viti u hodh shorti për të marrë shtëpi. U skualifikova pasi më ka ndërruar jetë nëna. Nuk e quajtën as aktin e trashëgimisë, as certifikatën e pronësisë që jam unë, motra dhe mami dhe më kanë nxjerrë në rrugë të madhe. Të gjithë në një shtëpi kemi jetuar. Më kërkuan keni banesë tjetër, shkova në Kadastës dhe nxorra që nuk kam asnjë objekt tjetër. Arsyeja është këtu që në certifikatë familjare kemi qenë tek e tek, certifikatë veç. Kjo ka qenë përgjigja që nëna ka jetuar vetëm. Kjo ka qenë përgjigja që e ndjera ka qenë e vetme, nuk ka pasur njeri dhe ky është skualifikimi im”, tha denoncuesi.
Avokati Klaudi Zhuli e sheh si gabim veprimin e bërë nga Drejtoria Juridike e Bashkisë, pasi zonja e ndjerë ka fituar apartamentin me vendim të këshillit bashkiak dhe nuk mund të skualifikohet se ndërroi jetë. E ndjera ka trashëgimtarët, që kanë qenë dhe bashkëpronarë në apartamentin e shembur.
“Veprimet e ndërmarra nga Bashkia Tiranë, nga Drejtoria Juridike janë veprime të marra në keqinterpretim të ligjit, aktit normativ dhe të gjithë akteve, derivat i këtij akti normativ, pasi trashëgimtarët e të ndjerës nuk mund të përjashtohen nga përfitimi i apartamentit. Ka ndërruar jetë në vitin 2022, nuk i heq të drejtën asaj të pronësisë. Kjo e drejtë pronësisë që ka mbi apartamentin që fitonte në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak i kalon trashëgimtarëve të saj të ligjshëm ku trashëgimtarët e saj kanë qenë bashkëpronarë në apartamentin që është prishur si pasojë e tërmetit të vitit 2019. Në këto kushte drejtoria juridike nuk mund ta lexojë aktin normativ shabllon siç është, por duhet të bëjë interpretim të saktë dhe të duhur siç është realiteti”, tha avokati.
/f.s