Me ligjin e ri për verën dhe vreshtarinë, MBZHR i ka dhënë një tjetër mjet të fuqishëm sektorit, duke i dhënë vëmendjen e duhur zhvillimit të tij, që është ndër aktivitetet që zë një peshë të rëndësishme në ekonominë dhe të ardhurat në zonat rurale.
Mbështetja nga programit IPARD II dhe fondet buxhetore përmes skemës kombëtare kanë rivitalizuar investime bashkëkohore në vreshtari dhe kantina të prodhimit të verës sipas standardeve europiane, për të qenë autentikë dhe konkurrues edhe në tregun e jashtëm.
Vitet e fundit ka filluar intensivisht edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra, që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendimente të larta. Përmes Skemës Kombëtare Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural rimburson TVSH-në për fermerët që rinovojnë plastmasin e serrave.
Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11.2 %, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë/vit.
Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi.
Në mesin e këtij viti Shqipëria u bë shteti i 50-të anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV).
/a.r