9 persona të një familje, mes të cilëve 2 fëmijë të vegjël janë gjetur të vrarë në shtëpinë e tyre në qytetin e Ukrainës – Volnovakha, të pushtuar nga Rusia. Zyrtarët ukrainas thonë se mendohet se ushtarët rusë vranë të gjithë familjen Kapkanets më 27 Tetor sepse refuzuan t’u jepnin shtëpinë.
Zyrtari ukrainas, Dmytro Lubinets tha se “duart e gjakosura të rusëve” ishin të përfshirë në vrasjet e Volnovakha.
“Sipas informacioneve paraprake, pushtuesit kanë vrarë të gjithë familjen Kapkanets, të cilët po festonin një ditëlindje dhe kishin refuzuar t’ua dorëzonin shtëpinë e tyre pushtuesve nga Çeçenia”, tha ai në Telegram.
Gjithashtu, zyra e prokurorit të Donjeckut, e kontrolluar nga Ukraina, duke cituar informacione paraprake, tha se sulmuesit me uniforma ushtarake qëlluan për vdekje familjen pasi kërkesa e tyre për të liruar shtëpinë ishte refuzuar.
Nga ana tjetër, Komiteti zyrtar i Hetimeve të Rusisë i përshkroi të arrestuarit si ushtarë rusë nga Lindja e Largët e vendit, të cilët kishin nënshkruar kontrata me ushtrinë ruse.
“Sipas informacioneve paraprake, motivi i krimit ishte një konflikt në familje”, thuhet në deklaratën e Komitetit.
Ukraina dhe Rusia kanë nisur hetime të veçanta për sulmin.
Vrasjet në Volnovakha vijnë ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë në frontin e gjerë të betejës në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës.
/a.r