Parlamenti malazez zgjodhi të hënën në postin e kryetarit zotin Andrija Mandiç, një ish drejtues i koalicionit politik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kundërshtuan hapur zgjedhjen e politikanit Mandiç në krye të Parlamentit të Malit të Zi duke e cilësuar atë si kundërshtar të orientimit pro-perëndimor të vendit.
Qytetarë të shumtë dolën në rrugët e Podgoricës në një protestë të organizuar nga Forumi i Qytetarëve të Lirë.
Zgjedhja e zotit Mandiç në krye të kuvendit malazez u mundësua nga votat e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – partia e tij Europa Tani që dikur njihej si Fronti Demokratik, deputetët demokratë, Partia Popullore Socialiste dhe dy koalicionet shqiptare, Alternativa Shqiptare dhe Forumi Shqiptar.
Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve të ish Presidentit Milo Gjukanoviç, që tani janë në opozitë, braktisën votimin.
Zoti Mandiç u propozua në këtë post në bazë të një marrëveshje politike që i mundëson qeverisjen e zotit Milojko Spajiç, i cili ka marrë mandatin. Në bazë të kësaj marrëveshje, ish Fronti Demokratik, që mbledh partitë pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi, mori postin e kryetarit të parlamentit dhe bëhet pjesë e qeverisë vitin e ardhshëm.
Në këmbim, deputetët e kësaj partie do të mbështesin qeverinë e pakicës së zotit Spajiqit. Në seancën parlamentare të së hënës pritet të formohet edhe qeveria e 44 e Malit të Zi.
Në programin e tij zoti Milojko Spajiç i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euroatlantik.
“Qeveria do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, duke respektuar në radhë të parë interesat e saj kombëtare, por edhe duke njohur lidhjet e shumta ekonomike, historike dhe kulturore me vendet e rajonit. Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë, zbatimi i qëllimeve dhe koncepteve të NATO-s dhe pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, trajnimet dhe aktivitetet e tjera të aleancës, do të jenë në krye të prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes”, tha zoti Spajiç.
Qeveria e zotit Milojko Spajiq është e treta që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur pas tre dekadash u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve.
Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim. Megjithatë, si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit./m.j
BE dhe SHBA nuk jane mjaft te fuqishem nda Serbise ,serbet nuk jane te dobet si neve ,Evropa dhe Shba bejne gabim qe perdorin dy karige mundet te ndodhe qe nesr Vucici thote me ktheni Kosoven dote vendosi sanksionet kuner Rusise doti realizohet kerkesa kaq te fuqishem jane ata ,po te ishte Kosova nji shtet Krishter dote ndryshonte Situata.