Argita Malltezi Berisha ishte e ftuar sot në Top Story në Top Channel ku foli për arrestimin e bashkëshortit të saj Jamarbër Malltezi dhe dosjen e hapur të babait, Sali Berisha.
E pyetur nga gazetari Robert Rakipllari se përse nuk ka reaguar për çështje të tjera si “21 janari” apo “Gërdeci”, Argita u shpreh:
“Kjo është një çështje e zhveshur nga materia. Nuk pritej nga unë një reagim për ato situata pasi nuk isha njeri publik. Këto janë ndodhi që përndjekin përkursin politik dhe zhvillimin politik të një vendi. Por njeriu duhet të ketë një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Për çështjen e Gërdecit, është diçka që më dhemb zemra”.
Në Shqipëri ka pasur shumë korrupsion dhe ka pasur shumë pak ndëshkim, drejtësia ka qenë e komanduar nga politika. Prandaj u bë reforma në drejtësi që në këtë vend të kishte hetime dhe të prekeshin të paprekshmit…
“Nuk jam dakord. Shqipëria si në çdo vend në tranzicion ka pasur probleme me korrupsionin. Por me qeverinë e Ramës ka pasur korrupsion galopant. Nuk ka qenë në këto nivele në 2013”.
Për “Top Story”, Malltezi tha se njeriu ka një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Dhe pavarësisht se situata ka treguar qartë se nuk ka pasur veprim të paligjshëm nga strukturat shtetërore, sa herë që shikon situatën e Gërdecit i dhemb zemra.
Rakipllari: A ju kanë bërë përshtypje ndonjëherë sepse nuk ju kemi parë të reagoni kur ka pasur pretendime ndaj babait tuaj. U vranë 4 njerëz në Bulevard, u vranë mbi 100 njerëz në Gërdec, nuk u kemi parë ta ngrini zërin ndaj këtyre rasteve për të cilat opozita e asokohe ka akuzuar babanë tuaj, ish-kryeministrin Sali Berisha.
Malltezi: Unë jam këtu sepse mendoj që kam një detyrim për të shpjeguar karshi atyre qytetarëve shqiptarë që kanë mbështetur Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. Nuk jam këtu për t’i kërkuar askujt asgjë. Kjo çështje është një çështje e zhveshur totalisht nga materia, është një çështje që do të përthahet shumë shpejt, po aq në mënyrë të çuditshme sa nisi. Kështu që duke mos qenë njeri publik, nuk pritej nga unë një reagim publik për ato situata. Por të jeni të bindur që të gjitha ato situata rëndojnë. Pavarësisht fajit, që është diçka krejt tjetër, situata vetë rëndon.
Këto janë ndodhi që shoqërojnë rekursin politik dhe historik të një vendi, është fatkeqësi e madhe dhe një peshë e rëndë përballja me to. E rëndësishme është që njeriu të ketë një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Kjo e dyta ka treguar qartë që nuk ka pasur veprim të paligjshëm nga strukturat shtetërore. Dhe e para, unë sa herë që e shikoj situatën e Gërdecit është një gjë që më dhemb zemra. Nuk është se kalohet thjesht./m.j