Nga kompetenca për të propozuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë te ministri përgjegjës për çështjet vendore, detyra për monitorimin e zbatimit të projekteve me fonde të qeverisjes qendrore deri te marrja e raportimeve çdo 10 ditë nga Kryetari i Policisë Vendore për situatën e rendit parashikohet të jenë detyrat e reja të Prefektit të qarkut.
Ndryshimet e kompetencave të Prefektit të Qarkut janë parashikuar te projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut” i publikuar te konsultimet publike nga Ministria e Brendshme.
Referuar relacionit shoqërues ndryshimet e propozuara synojnë të forcojnë rolin e prefektit të qarkut, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark. Domosdoshmëria e ndryshimeve ligjore, veçon relacioni, forcon rolin e Prefektit në qark për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve.
Por për ekspertët e pushtetit vendor disa nga kompetencat e reja që pritet t’i shtohen Prefektit të Qarkut, prevalojnë mbi ligjin aktual të vetëqeverisjes vendore ose në raste të caktuara mbivendosin autoritetin e Prefektit me autoritete të tjera.
Në projektligj është shtuar se një nga detyrat e Prefektit do të jetë të “propozojë pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.
Një tjetër ndryshim i propozuar në projektligj është që sipas pikës “k) Prefekti monitoron zbatimin e projekteve, programeve sektoriale në qark, që zhvillohen me fonde të kushtëzuara apo fonde të qeverisë qendrore, veçanërisht për sa i përket respektimit të afateve dhe cilësisë’.
Procedura e monitorimit të zbatimit të politikave, projekteve e programeve sektoriale të qeverisë qendrore në nivel qarku përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe l)sinjalizon institucionet përgjegjëse inspektuese duke propozuar fillim të procedurës së inspektimit për shkeljet e evidentuara”.
Drafti parashikon ndër të tjera se drejtori i policisë vendore do të zhvillojë takime të përbashkëta dhe do të informojë çdo 10 ditë Prefektin e qarkut mbi shkallën e zbatimit të masave për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në nivel qarku, sipas përgjegjësive e detyrave të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore.
Në ndryshimet ligjore është parashikuar edhe thirrja e ekspertëve të jashtëm në fushat për të cilat nevojitet ekspertiza, si dhe mbikëqyrja e këtij shërbimi nga nënprefekti, përmes fondeve të veçanta në buxhet.
Ndryshimet e kompetencave të Prefektit të Qarkut Referuar synojnë të forcojnë rolin e prefektit të qarkut, për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve./m.j