Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka bërë të ditur se Agron Kuliçaj truproja i ish-kryeministrit Sali Berisha është zgjedhur në Komisionin e Etikës të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ky vendim – shkruan Balla në një status në Facebook – është marrë në mbledhjen që Asambleja e Përgjithshme e FSHF zhvilloi këtë të enjte. “Ish-bodyguardi i Sali Berishes Agron Kulicaj rezulton të ketë marrë më shumë vota sesa Hito Hitaj një ikonë e gjallë e historisë së futbollit shqiptar”, shkruan Balla. “Si ka mundësi që një njeri i inkriminuar si Agron Kuliçaj mund të kontrollojë etikën në futbollin shqiptar”, shkruan deputeti.
Balla thotë se shpreson që Asambleja e FSHF të reflektojë dhe ta largojë Agron Kuliçajn.
Ai bën të ditur se në listën e kandidatëve për në Komisionin e Etikës, ishte edhe ish-deputeti i PD Dashnor Sula. “Si mund të futet në votim Dash Sula, kur vetë FSHF i ka ndaluar përjetë prezencën në një stadium futbolli për goditje me armë dhe kërcënim me jetë të gjyqtarëve të futbollit”, thotë ai.