Ushtria e Izraelit ka vijuar për të dytën ditë radhazi sulmet nga toka të ndihmuara nga avionët luftarakë dhe dronët në qendër të rripit të Gazës.
Forcat ushtarake kanë identifikuar dhe goditur objektiva të shumta, përfshirë pika të lëshimit të raketave anti tank, vendndodhje ushtarake të komandës dhe kontrollit si dhe terroristë të Hamasit. Pas aksionit gjatë natës, trupat janë tërhequr sërish drejt territorit të Izraelit.
Sipas autoriteteve palestineze nga sulmet e 24 orëve të fundit janë vrarë të paktën 481 persona. Në total mbi 7,000 palestinezë kanë humbur jetën, që nga fillimi i konfliktit: më shumë se gjysma e të cilëve janë gra dhe fëmijë.
Ndërkohë që konflikt vazhdon, rreziku për përhapjen e tij në të gjithë rajonin sa vjen e shtohet. Dy avionë luftarakë amerikanë kanë kryer sulme në Siri në objektiva me armë dhe municione si përgjigje ndaj sulmeve që forcat amerikane kanë marrë nga grupet e mbështetura nga Irani.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se, si rrallëherë, presidenti Biden i ka dërguar një paralajmërimin të drejtpërdrejtë Iranit për të ndaluar sulmet ndaj objektivave amerikane në Lindjen e Mesme.
“Mesazhi ishte i qartë” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby, duke mos dhënë më shumë detaje për komunikimin.
Trupat amerikane dhe të koalicionit janë sulmuar të paktën 19 herë në Irak dhe në Siri nga forcat e nxitura nga Irani gjatë javës së kaluar. Ndërsa ministri i Jashtëm Iranian tha në Kombet e bashkuara se nëse hakmarrja e Izraelit ndaj Hamasit në rripin e Gazës nuk ndalon, atëherë edhe SHBA-të nuk do të kursehen nga ky zjarr.
/f.s