Ish-prokurori i Krimeve të Rënda dhe avokati Eugen Beci tha në emisionin ‘Të Paekspozuarit” se prokuroria nuk ka zbatuar procedurat në rastin e akuzave ndaj ish-kryeministrit dhe deputetit të PD-së, Sali Berisha, ndaj të cilit GJKKO ka marrë masën detyrim paraqitje dhe pengim për të dalë nga vendi. Beci tha prokuroria duhet të shpjegojë pse nuk i është drejtuar me një autorizim të posaçëm Kuvendit për të lejuar heqjen e imunitetit të deputetit Berisha për caktimin e masës së sigurisë.
“Në një proces penal është me rëndësi zbatimi i procedurave. Prokuroria duhet të shpjegojë pse nuk i është drejtuar me një autorizim të posaçëm Kuvendit për të lejuar heqjen e imunitetit për caktimin e një mase sigurie.
Sa i përket z. Sali Berisha, prokuroria thotë se zoti S.B., me cilësinë si kryeministër ka kryer veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për 5 familjet e njohura bashkëpronare, ku përfitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, janë kryer veprime aktive për ushtrimin e presionit për konkludimin e procedurave administrative të privatizimit në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi si dhe vendosjen e administratës në shërbim të këtij procesi.
Nga pikëpamja ligjore prokurorisë do t’i duhet që për çdo gjë të ketë fjalën dyshohet, sepse jemi në momentin kur sapo ka filluar hetimi, dhe prokuroria dyshon se ka bërë këto tre shkelje.
Nëse nuk i bën dyshohet, por i merr si të mirëqena këto të mos shkojë për vendim mase, por për vendim themeli dhe për dënim. Çështja sot sapo ka filluar. Këta persona janë ata ndaj të cilëve zhvillohen hetime. Do të duhen prova të pakundërshtueshme. Kjo është e rëndësishme për afatet proceduriale të prokurorisë: deri në 3 vjet afati i përgjithshëm për të hetuar një çështje dhe deri në 1 vit për Jamarbër Malltezin që është në arrest me burg ka afatin e paraburgimit”- u shpreh ndër të tjera Beci.
/a.r