Meliza Haradinaj, ish-ministre e Jashtme e Kosovës, ishte këtë të shtunë në Euronews Albania ku ka komentuar takimin mes kryeministrit Kurti, përfaqësuesit Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.
Ajo ndër të tjerat tha se është hipokrizi që të njëjtët diplomatë që kanë sjellë të draftuar planin-gjerman të vijnë dhe t’i bëjnë presion Kosovës, për një asociacion që nuk është fare problemi i tensioneve të shkaktuara në veri të Kosovës.
“Në fakt është një hipokrizi e madhe dhe këtë mund ta them sot më lehtë sepse jam jashtë institucioneve. Po të njëjtët diplomatë që kanë sjellë të draftuar planin-gjerman të vijnë dhe t’i bëjnë presion Kosovës, për një asociacion që nuk është fare problemi i tensioneve të shkaktuara së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë.
Pra po fillojnë më një rend jo të logjikshëm, me një rend jo kronologjik se si do duhej së pari të eleminohej rreziku i një sulmi të ripërsëritur në Serbi e më pas të fillohej me implementimin. Të mos harrojmë që ne ende nuk e kemi një klasifikim të qartë të bashkësish ndërkombëtare se çfarë ka ndodhur në 24 shtator. Kosova e ka thënë qartazi që nuk ishte vetëm një sulm terrorist, por ishte agresion i shtetit të Serbisë.
Së pari duhet të sanohen dëmet, të identifikohen problemet, të izolohet dëmi e më pas të bëhet dialogu, i cili ka dëshmuar nga plani franko-gjerman, i cili nuk i ruante interesat e palëve në mënyrë simetrike”,-tha ajo.
/a.d