Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për politikë të jashtme të Francës, Gjermanisë e Italisë, ka nisur një takim kokë më kokë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Beograd.
Vuçiç, siç njoftojnë mediat serbe, ka mirëpritur diplomatët evropiano-amerikan në Presidencën e Serbisë, pak pas orës 14:00.
Para takimit, në një prononcim për media, Vuçiç tha se sot e pret një ditë të vështirë atë dhe Serbinë, meqë e di se çfarë do të sjellin Pesëshja e madhe.
Vuçiç, i cili rëndom viktimizohet, i ka thënë gazetarëve, se me natë të tëra nuk ka mundur të flejë duke menduar takimin e 21 tetorit.
“Nuk e di nëse do të bërtas apo do të qaj nga dhimbja, por do të kemi sukses që Serbinë të mos ia bëjmë dhuratë askujt, por ta bëjmë tonën”, ka thënë Vuçiç.
Vuçiq theksoi se do të luftojë me të gjitha forcat e tij “sado të fortë të jenë” diplomatët perëndimor duke premtuar se do ta mbrojë Kosovën dhe popullin serb në Kosovë.
“Po vijnë të mëdhenjtë, të fortët, më të fortët dhe më të fuqishmit. Serbia është një vend i vogël. Ne duhet të mbrojmë njerëzit dhe fëmijët dhe unë mund të premtoj se ata do ta mbrojmë Serbinë”.
/a.d