Në arkën e shtetit, deri në shtator, kanë hyrë 477.2 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në raport me një vit më parë, të ardhurat janë zgjeruar me 51 miliardë lekë apo 12 për qind.
Pjesa më e madhe e këtyre parave rezulton të ketë ardhur nga fitimet që kompanitë realizuan nga rritja e xhiros së tyre, vitin e shkuar. Me rritje në harkun e muajve janar-gusht janë edhe arkëtimet akciza dhe taksat doganore. Nga ana tjetër, administrata tatimore ka mbledhur më pak para nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import, taksat kombëtare dhe renta minerare.
Ka sektorë që qeveria po tregohet dorëlëshuar me shpenzimet falë të ardhurave të shtuara. Më shumë se 425 miliardë lekë kanë shkuar nga janari në shtator kryesisht në infrastrukturë dhe ujësjellësa.
Me gjithë shpenzimet e shtuara, të ardhurat në nivele rekord kanë bërë që ekonomia e vendit ta mbyllë bilancin e 9 muajve të vitit në mënyrë pozitive me gati 51.5 miliardë lekë të kursyera.