Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë Kavajë Fisnik Qosja ishin në gjimnazin e qytetit, për të parë nga afër zbatimin e masave të Paketës së Sigurisë në Shkolla.
Ministri ritheksoi domosdoshmërinë e krijimit të një koalicioni të gjerë, me shumë aktorë e institucione për të garantuar më shumë siguri për nxënësit e fëmijët.
Në fjalën e tij për stafin arsimor, autoritet vendore dhe gjimnazistët e pranishëm, Ministri Balla tha se “Bashkë me Fisnikun, Kryetarin e bashkisë, jemi sot në shkollën me më shumë emër dhe traditë në të gjithë bashkinë e Kavajës për shkak edhe të numrit të lartë të intelektualëve, personaliteteve që kjo shkollë ka nxjerrë, jo vetëm për Kavajën por për gjithë Shqipërinë në fakt.
Arsyeja themelore për të cilën jam këtu është pjesa që lidhet me paketën e sigurisë në shkolla.
Ju e dini fare mirë se na duhet të bashkëpunojmë më të gjitha autoritetet dhe këtu bashkëpunimi me bashkinë është tepër i rëndësishëm për gjithçka që lidhet me garantimin e perimetrit të sigurisë.
Nuk kam asnjë dyshim që brenda oborrit të shkollës dhe brenda shkollës nuk ka pasur dhe nuk ka për të pasur problematika. Shqetësimi im është pjesa përtej gardhit, rruga e nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe tani që ikin nga shkolla me të mbaruar mësimi dhe që lidhet me një fenomen që nuk ekziston vetëm në Shqipëri por ekziston në të gjithë botën, por që është kthyer sot në një kërcënim për fëmijët e që lidhet me përdorimin e lëndëve narkotike.
Unë jam shumë i sigurt që mësuesit jua kanë shpjeguar me dhjetëra herë që përdorimi i kanabisit, lëndëve psikotrope, janë të dëmshme. Edhe oksidi i azotit, nëse përdoret në sasi të pakontrolluar, dhe ne do ta vendosim në ligj dhe vendimet e qeverisë që ajo të mos përdoret. Pastaj kanabisi është po ashtu i dëmshëm. Jo vetëm që ju heq mendjen nga mësimi, por ju heq mendjen nga të gjitha.
Në këtë këndvështrim na duhet të krijojmë një koalicion. Unë gjej rastin ta falënderoj kryetarin e bashkisë së Kavajës për bashkëpunimin, sepse do na duhet me bashkinë të rrisim kamerat e sigurisë pothuajse në të gjithë territorin e perimetrit të sigurisë pranë kësaj shkolle dhe në të gjitha shkollat e Kavajës.
Natyrshëm edhe nga ana jonë nuk do të mungojë mbështetja, komunikimi me drejtorin e policisë vendore, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe me strukturat e tjera të qeverisë për të mbështetur bashkinë e Kavajës në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës së sigurisë ku kamerat janë pa dyshim një element shumë i rëndësishëm sigurie.
Unë kam besim që këto djem e vajza të shkëlqyer të Kavajës do të bëhen pjesë e këtij koalicioni kundër përdorimit të lëndëve narkotike dhe natyrshëm ne na takon që besimin dhe besën që na kanë dhënë prindërit e tyre, ndërsa i sjellin në shkollë, ne t’i qëndrojmë fjalës dhe besës së dhënë për të mos lejuar asnjë keqbërës që afrohet pranë shkollës për të shitur lëndët narkotike dhe për të bërë biznes me jetën e fëmijëve tanë. Secili nga ne është prind dhe e di se sa shumë e rëndësishme dhe se sa më të qetë do të jenë prindërit ditën që ne të garantojmë këtë perimetër sigurie.
Do të bëjmë gjithçka më mirë dhe do ta ngremë nivelin e sigurisë dhe zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla edhe në Kavajë,” deklaroi ministri Balla në Kavajë./m.j