Ishulli i Paqësorit është i destinuar të zhduket në fund të shekullit për shkak të rritjes së deteve.
Tuvalu po fundoset por nuk dorëzohet. Ishulli në veri-lindje të Australisë ndodhet në lartësinë maksimale prej 5 metrash mbi Paqësor, pavarësisht se e di se ai së shpejti “do ta gëlltisë”.
Kombi ishullor i Paqësorit Jugor, Tuvalu, është i zhgënjyer sidomos me rezultatin e samitit të klimës së OKB-së në Glasgow, nga frika se do të dështojë të frenojë ngrohjen globale dhe të përkeqësojë kërcënimin e rritjes së nivelit të detit me të cilin përballen vendet e ulëta.
Ministri i Jashtëm i Tuvalu, Simon Kofe tha se pakti i samitit duhet të kishte bërë thirrje për heqjen graduale, në vend të uljes graduale, të përdorimit të qymyrit, një ndryshim i vonë por i nxitur nga India dhe Kina e varur nga qymyri.
Ndërkohë Zelandës së Re i kërkohet të krijojë shtigje imigrimi për njerëzit në vendet e ulëta të Paqësorit, si Tuvalu dhe Kiribati, të cilët po largohen nga vendet e tyre për shkak të efekteve në rritje të ndryshimeve klimatike.
Ndërsa një numër ishujsh në rajonin e Paqësorit përballen me efektet e vazhdueshme të krizës klimatike, banorët po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të krijuar jetë të re në vendet fqinje, si Zelanda e Re, sepse nuk ka një politikë formale migrimi për arsye të lidhura me klimën.
Si po krijohet kombi i parë digjital
Me kushtetutën e re, Tuvalu po përgatitet për më të keqen. Kushtetuta e re e ishullit njeh Kombin Digjital të Tuvalusë. Ky projekt është një ndër fituesit e çmimit Effie Awards që zhvillohet në Australi. Video e “marketimit” të kombit të parë digjital në botë paraqet Ministrin e Drejtësisë, Komunikimit dhe Punëve të Jashtme të vendit, Simon Kofe duke mbajtur fjalimin e tij të vitit 2021 në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike i zhytur në ujë.
Videoja komunikon se edhe pse e ardhmja fizike e Tuvalu është e pasigurt, vendi mund të jetojë në përjetësi përmes teknologjisë, një propozim i zymtë, por potencialisht i nevojshëm që i shtyu audiencën të konsideronte humbjen kulturore, historike, sociale dhe ekonomike që do të rezultonte pa tokë.
Projekti për digjitalizimin e trashëgimisë materiale dhe kulturore të Tuvalusë ka nisur tashmë. Sfida e vetme e këtij vendi mbetet lëvizja e popullsisë së saj dhe se ku do vendosen ata.