Lulzim Meçani, i cili kishte shkuar në Hungari për punë por kishte humbur kontaktet me familjen prej disa javësh, është gjetur se ku ndodhet.
Pas emailit që bashkëshortja e Lulzim Meçanit i kishte shkruar ambasadës shqiptare në Budapest, ka ardhur përgjigjia.
Ambasada jonë në Hungari njofton se Lulzim Meçani është arrestuar nga autoritetet hungareze.
“Ju njoftojmë se shtetasi Lulzim Meçani është ndaluar nga autoritetet hungareze dhe ndodhet në burgun e Szegedit në Hungari”, thuhet në emailin e ambasadës së Shqipërisë në Hungari.
Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka mësuar se Lulzim Meçani është arrestuar për trafik klandestinësh. Lulzim Meçani kishte shkuar në Hungari për të punuar në transportin e fruta-perimeve, por mesa duket shqiptarët me të cilët ishte lidhur i kishin ngritur kurth. Ata e kishin përfshirë në transportin e klandestinëve.
Ai e kishte kuptuar se nuk ishte puna për të cilën kishte shkuar dhe këtë shqetësim ia kishte shprehur bashkëshortes dhe kërkonte kthimin në Shqipëri. Por më pas familja humbi kontaktet me të dhe nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur me të afërmin e tyre.
Por me investigimin e emisionit Uniko dhe ndihmën e ambasadës shqiptare në Hungari u zbulua se Lulzim Meçani është në gjendje të mirë shëndetësore, por është i arrestuar nga policia.
/a.r