Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur për mediat para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, teksa ka deklaruar se samiti i sotëm është i një rëndësie shumë të veçantë.
Sipas saj zhvillimi i samitit në një vend të Ballkanit Perëndimor përcjell një mesazh të fuqishëm për të treguar përkushtimin për zgjerimin e BE-së.
Ajo theksoi rëndësinë e përmirësimit të ekonomisë në rajon, teksa tha se një nga temat kryesore të diskutimit do jetë pikërisht ekonomia, ku BE do nxisë kompanitë e Ballkanit Perëndimor të kenë qasje në tregun e përbashkët.
Megjithatë ajo shtoi se ata që do kenë vullnetin për të ndërmarrë reforma do jenë ata që do financohen dhe do stimulohen nga BE.
“Është një samit shumë i veçantë ky që zhvillojmë sot. Zhvillimi i samitit në një vend të Ballkanit Perëndimor besoj se përcjell një mesazh të fuqishëm se sa të përkushtuar jemi për zgjerimin e BE-së.
Një nga temat kryesore do jetë ekonomia, duam t’iu japim qasje kompanive në tregun evropian, por për këtë na duhen reforma. Ata që kanë vullnetin të ndërmarrin reforma, do të marrin financim nga BE. Është një stimul për ata që duan të ecin përpara. Dyer tona janë të hapura”, u shpreh ajo.
/a.r