Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti dhe Rexhep Selimi kanë kritikuar dhe njëherë veprimet e Policisë së Kosovës gjatë seancave të Kuvendit dhe protestave.
Që të dy kanë kërkuar përgjegjësi penale për Qeverinë e Kosovës, Kryeministrin, MPB-në dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pasi sipas tyre policinë po e përdorin si mjet për shtypje. Dërguti ka bërë thirrje që policia mos të marrë urdhra politikë dhe të kundërligjshëm. Ajo ka përmendur edhe rastin e arrestimit të Albulena Haxhiut që sipas saj në rastin e saj, shkeljet kanë vazhduar edhe në spital, raporton KP.
“Ju kujtohet rasti i Albulenës. Deri më sot zyrtarja e policisë nuk është arrestuar. Shkeljet në rastin e Albulenës kanë vazhduar edhe në spital ku është kontrolluar. Prezenca e policisë në seanca nxjerrja e deputetëve janë të pabazuara. Bazuar në rregullore çdo deputet gëzon imunitet por as Kryesia nuk është e interesuar të marrë masa për ta ndaluar policinë. Policët janë përfshi në vepër penale me urdhra. Ju bëjmë thirrje policisë mos të marrin urdhra politikë se shumë shpejtë kanë për t’u përballur”, tha ajo.