E ka nisur Ben Blushi në fjalën e tij, duke thënë se nëse do të vihej përballë një zgjidhje, mes PS-së dhe Shqipërisë, ai sigurisht do të zgjidhte pa hezitim të qëndronte në krah të së dytës.
Por nuk ka vonuar, dhe një kundërpërgjigje ka ardhur nga deputeti socialist Taulant Balla, i cili po ashtu, në fjalën e tij përballë pjesëmarrësve në Asamblenë Kombëtare të selisë rozë, ka thënë se ai do të zgjidhte Partinë Socialiste.
Kjo formë e debatit mes dy zgjedhjeve, nuk ka përfunduar këtu, teksa më pas fjalën e ka marrë edhe deputeti Pandeli Majko. Ish Kryeministri ka thënë se nuk është dakort se, Partia Socialiste, ka më shumë rëndësi se Shqipëria.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se “Nuk shoh ndonjë ndryshim mes Shqipërisë dhe partisë”.
Përveç surprizës së Ramës në lidhje me bërjen e një referendumi, mesa duket edhe ‘tensioni’ për të zgjedhur mes PS-së dhe Shqipërisë ka qenë një tjetër suprizë në Asamblenë Kombëtare të PS-së.
Ndër të tjera, jashtë vëmendjes së medias ka folur edhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili ka vënë theksin se në zgjedhjet e ardhshme, Partia Socialiste do duhet të fitojë 71 deputetë, në kushtet kur në vitin 2013, PS mori vetëm 64.