Opozita është e vendosur që të vijojë me skenarin e bllokimit të parlamentit, nëse maxhoranca nuk fut në rendin e ditës kërkesat e PD-së, në lidhje me amendimin e dekriminalizimit, amendamentit për komisionet hetimore parlamentare dhe zbatimin e vendimeve të gjykatës kushtetuese.
Amendamenti i parë që ka të bëjë me dekriminalizimin ndalon mandatin e deputetëve të arrestuar në flagrancë. Amendamenti për Komisionet hetimore, ka të bëjë me heqjen e kuorumit të nevojshëm për të punuar, pasi sipas opozitës maxhoranca po bllokon qëllimisht punimet e komisioneve hetimore të kryesuara nga PD.
“Ajo që ka rëndësi është që parlamenti nesër, në rradhë të parë konferenca t’i fusë në kalendar këto, dhe cfarë është cështje parimore është miratimi i amendamenteve dhe zbatimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese.
Nëse nuk ndodhin, veprimet tona do jenë të njëjta, bllokim i seancës. Këto amendamente futen në kalendar thjesht zbatohet një procedurë, por kërkesa është jo futja por miratimi i këtyre cështjeve. Janë të dyja në zbatim të marëveshjes së dhjetorit, si ajo për komisionet hetimore por edhe për dekriminalizimin.
Kërkesa jonë mbetet zbatimi i tyre, megjithatë hapi i parë është futja në kalendar, meqenëse as këtë nuk kanë bërë.”- tha Paloka.