Është mbledhur paraditen e kësaj të mërkure Asambleja e Partisë Socialiste, në prag të Kongresit që do të mbahet më vonë gjatë marsit.
Në fjalën e tij, kryetari Edi Rama ka deklaruar se, PS ka arritur rezultate të konsiderueshme në këto vite qeverisje, por në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ajo, sipas tij, duhet të marrë pjesë tërësisht e reformuar.
“Në këto 30 muaj kemi bërë shumë për gjeneratën e sotme dhe gjeneratën pasardhëse. Por për zgjedhjet e 2017-s na duhet një Parti Socialiste e reformuar dhe e transformuar rrënjësisht në përbërjen sociale”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se, PS është e vetmja forcë udhëheqëse e këtij vendi dhe reformat e ndërmarra prej saj i kanë hapur Shqipërisë një rrugë të re.
“Por disa parti dhe grupe interesi ilegjitime po mundohen të pengojnë me çdo mënyrë këtë rrugë të re. Por ne do vijojmë reformat për Shqipërinë duke e transformuar Partinë Socialiste dhe dinamikën e saj të veprimit”, ka thënë Rama.
Në këtë drejtim, shefi i qeverisë ka nënvizuar se, do të punohet më shumë për një angazhim më të madh dhe më harmonik mes deputetëve dhe të zgjedhurve vendorë, për një lexim më të mirë të problemeve të territorit dhe një monitorim më cilësor të tij.
“Kemi arritur rezultate inkurajuese që nuk tregojnë se sa shumë është bërë në këto aspekte, por që përbëjnë një shtysë për ta çuar përpara frymën e nisur”, ka shtuar Rama.
Kryetari i PS i është përgjigjur edhe Ben Blushit, për akuzat e tij se ka kriminalizuar partinë. Rama është shprehur, se të gjitha këto janë mllefe të atyre që i ka quajtur “përgojues” në radhët e PS. Duke mos iu drejtuar direkt deputetit të tij, ai ka theksuar se, “askush nuk mund të më tregojë mua parimet demokratike”.
“Na akuzojnë se sollëm kriminelë në Parlament, por ne sollëm më shumë gra në Parlament. Këto akuza janë shpifje të pafundme ndaj çdo pune, çdo reforme dhe çdo vendimmarrjeje. Keqardhje për ata që mllefin e kanë më të madh se turpin dhe gjuhën më të gjatë se shikimin”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur i vetëdijshëm se, “s’ka shans të mos na baltosin po shkuam drejt një dere që hap një rrugë të re”. “Por të mos merremi më me ta dhe le ta bëjmë karvanin të ecë më shpejt përpara. Askush nuk ka tagrin të më bëjë mua moralin e vlerave demokratike”, ka thënë Rama duke iu referuar akuzave të Blushit.
“Në këtë mjedisin tonë dëgjohesh dhe gjykohesh me durim si në asnjë organizatë tjetër. Në këtë mjedisin tonë ka edhe gjykatë, ka edhe mosmarrëveshje, por pastaj na vjen keq që ndodhin. Na vijnë vërshëllima nga stoli i rezervave, që natyrisht është diçka e pasjellshme. Më mirë të mos kishte ndodhur, por asnjë nga këto nuk e bën më të vogël vlerën e punës së madhe të qeverisë sonë”, ka shtuar Rama.
/ Top Channel