“Rrëmbim. Gaza. Gilad Shalit”, këto janë fjalët kyçe që terroristët e Hamasit po përdorin gjatë telefonatave të tyre me familjarët e pengjeve. Mediat e huaja raportojnë se ata me shumë mundësi po kërkojnë shkëmbimin e pengjeve me terroristët e burgosur prej Izrealit.
Po çfarë nënkupton emri Gilad Shalit? Ky i fundit ishte një ushtar izraelit i cili u rrëmbye në vitin 2006 dhe më vonë u shkëmbye me 1027 të burgosur palestinezë. Ai u mbajt për plot 5 vite peng nga terroristët.
Gilad Shalit kur u lirua në vitin 2011:
Ende nuk dihet pse në telefonata përmendet emri i tij, por janë të afërmit e 11 njerëzve të marrë peng që konfirmojnë se grupi i Hamasit kërkon të bëjë të njëjtën gjë si me ushtarin: një peng izraelit në këmbim të një mijë palestinezëve të ndodhur në qeli.
Megjithatë, Hamasi deri më tani e ka deklaruar publikisht se nuk do bëjë negociata me 150 personat e marrë peng për aq kohë sa Izraeli bombardon Gaza-n. Mes personave të rrëmbyer, të shumtë janë britanikë, amerikanë, gjermanë apo italianë.
Sigurisht e gjithë kjo situatë e ka vënë qeverinë e Benjamin Netanyahu-t në pozicionin më kritik ndonjëherë që prej vitit 1948. Është një luftë mes palëve që ka në mes kushte. Këto të fundit lidhen në mënyrë direkte me jetë njerëzish të pafajshëm. Nga njëra anë Hamasi rrëmben izraelitë dhe kërkon t’i shkëmbejë me 1 mijë palestinezë e nga ana tjetër është qeveria e Izraelit e cila ka në plan të shkatërrojë çdo lagje të Gaza-s pa llogaritur numrin e viktimave. Në këtë situatë, nuk mund të arrihet një dakordësi. Nëse qeveria e Netanyahut nuk ndal bombardimet dhe të gjejë një opsion për lirimin e pengjeve pa dëmtuar palestinezët, të pakta janë dhe shpresat që lufta të mbarojë në pak kohë.
/a.r