Mëngjesin e kësaj të premte, Izraeli u ka kërkuar më shumë se një milion palestinezëve që të lëvizin në jug të Gazës, pasi një aksion ushtarak nga toka ku pritet të angazhohen mbi 170.000 ushtarë, pritet të nisë në orët në vijim për të finalizuar ofensivën që do të çonte në shfarosjen e Hamasit.
Jerusalemi zyrtar vazhdon të lëvizë forcat drejt kufirit përpara nisjes së ofensivës tokësore, ndërsa në Gaza civilët po i drejtohen pjesës jugore të Rripit, me një marshim që aktualisht ka shënuar radhë prej 10 kilometrash.
“Zyrtarët e OKB-së në Gaza u informuan nga oficerët e tyre ndërlidhës në ushtrinë izraelite se e gjithë popullsia e Gazës në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore, brenda 24 orëve të ardhshme. Kjo do të thotë se zhvendosen afërsisht 1.1 milionë njerëz, ose gati gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë që jeton në Gaza“, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë në Nju-Jork.
OKB-ja apelon që urdhri të anulohet për të shmangur atë që mund të transformojë tragjedinë aktuale në një situatë katastrofike.
Hamasi sakaq e ka cilësuar paralajmërimin “propagandë të rreme” dhe u ka kërkuar palestinezëve “të mos bien pre e tij”.
/f.s