Eksportet bujqësore shqiptare drejt tregjeve të huaja nuk ndalen.
Ky tregues edhe për periudhën Janar-Shkurt 2016 ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ndërsa rekordin e mbanjë eksportet e perimeve nga qarku i Lushnjes.
Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, gjatë një vizite të mërkurën në Lushnje, me fermerë të zonës, u shpreh se, nga rrethi i Lushnjes vijnë shifrat mbresëlënse të prodhimit dhe eksporteve bujqësore.
“Në rrethin e Lushnjes janë eksportuar këto muaj (janar -shkurt) 5739 tonë perime”-tha ministri Panariti, ndërsa vuri në dukje se, për të njejta periudhë në vitin 2015, kemi eksportuar 2711 tonë perime.
Duke iu referuar statistikave, kreu i Bujqësisë bëri të ditur se, vetëm në këto dy muaj të parë të vitit 2016, kemi një rritje me 3027 tonë ose 110% të eksporteve bujqësore në këtë zonë.
“Një bujqësi që ekporton ështe një bujqësi konkurruese e cila zhvillohet në mënyrë organike”, theksoi ministri Panariti gjatë vizitës së tij në fermat bujqësore të rrethit të Lushnjes.
Bujqësia dhe agroindustria jane sektore qe sjellin jo vetëm një kontribut të rëndësishëm në GDP-në e vendit, por vlerësohen edhe sektorë me potencial të madh punësimi, por që ende drejtohet nga metodat tradicionale të prodhimit e tregtimit.
Qeveria sot ka një vizion të qartë për zhvillimin e bujqësisë, duke mbështetur prodhuesin, duke mbështetur inovacionin dhe investimet në të gjithë rrugëtimit e produktit, deri në daljen e tij në treg.
Vizita e kreut të Bujqësisë, Panariti, në Lushnje, ne qarkun më produktiv bujqësor të vendit, i paraprinë dhe proçesit të çeljes së aplikimeve të fermerëve për të përfitur nga fondet e subvencioneve, program i qeverisë qe adreson grente në mbështetje të këtij sektori në të gjithë vendin.