Nga Jakin Marena
Vërtet që Gazmend Bardhi dhe një numër i konsiderueshëm deputetësh demokratë iu bashkuan deputetëve të “Foltores”, por kjo nuk e ka ndryshuar fytyrën e vrarë të Sali Berishës.
E themi këtë sepse Berisha nga Bardhi e deputetët që e ndjekin, të cilët të gjithë bashkë nuk kanë lënë kusur pa thënë kundër liderit të Foltores mbi një vit, kërkonte atë që i mungonte më shumë dhe që e do dëshpërimisht: Vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Me sa duket ka qënë një premtim që para 14 majit i Bardhit ndaj Berishës për t’ia sjellë vulën dhe logon si ‘pajë’, me çdo manovrim të mundshëm, të shoqëruar sigurisht dhe me bllokimin e kandidatëve për kryetarë bashkie të PD zyrtare në zgjedhjet vendore që do të ‘difuzonte’ dhe votat tek “Foltorja” e futur në zgjedhje nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës.
Por Bardhi s’ia arriti, sa për shkak të mungesës së mbështetjes në radhët e demokratëve, por dhe për shkak se ‘loja’ e tij në favor të Berishës u ‘kap’ në kohë nga Lulzim Basha i dorëhequr, i cili me ‘letra’ quhej i pezulluar por që figuronte ende kryetar i PD. Dhe këtë e ka konfirmuar në të gjitha rastet gjykata e shkallës së parë, sa herë që KQZ ka kërkuar një shkresë për kandidatët, e sidomos ‘vula’ u vu me marrjen e dy anëtarëve të komisioneve zgjedhore në zgjedhjet e pjesëshme të 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit, nga PD zyrtare. E fitoi zyrtarisht në kolegjin zgjedhor.
Dhe për më tepër, rikthimi i beftë i Bashës, organizimi i zgjedhjeve për kryetar të PD, fitorja e thellë në këto zgjedhje, në atë PD që ka mbetur themi, bëri që të ‘çimentonte’ mandatin e tij në krye të Partisë Demokratike zyrtare, duke mos lënë asnjë hapësirë për Bardhin dhe mbështetësit e tij, që të ‘transferonin’ vulën dhe logon e partisë tek Sali Berisha, në selinë buzë Lanës. “Harxhet” e të cilës i ka paguar gjithnjë Gaz Bardhi muaj për muaj nga arka e PD zyrtare, shtuar dhe paratë e fushatës së 14 majit që i ‘transferoi’ tek “Foltorja” duke mos dhënë kokërr leku për 14 kandidatët e PD zyrtare që morën përsipër të garonin, anipse Berisha i kërcënoi rëndshëm.
Pra Bardhi erdhi me ‘duar në xhepa’ tek Foltorja, i shoqëruar nga një pjesë e madhe e deputetëve të PD, një lëvizje që shkaktoi ‘traumë’ në marrëdhëniet mes Berishës e Metës, i cili me liderin historik, e kishte të garantuar se do të përfitonte vota në kurriz të demokratëve sa herë që të kishte zgjedhje. Më 14 maj mori gjysmën e këshilltarëve bashkiakë, më 2025 parashikonte të merrte gati gjysmën e deputetëve të listës, nëse sërish “Foltorja” do të hynte nën siglën e Partisë së Lirisë.
Por rikthimi tek Berisha i ‘ujqërve të rinj’, të cilët nuk kanë ‘tufë’ ku të rigrupohen, pa vulë dhe pa logo të PD dhe mbi të gjitha të zemëruar me Bashën që i shkarkoi nga postet madje dhe i përjashtoi nga grupi dhe nga partia, e ka ndërlikuar shumë situatën tek koalicioni Berisha-Meta, pasi janë në kërkim të lidershipit të uzurpimit të grupimit më të madh të demokratëve. Dhe janë ‘ujqër’ të rinj me ‘dhëmbë të mprehtë’, që në mungesë të mbështetjes, nuk kanë për gjë të ‘kafshojnë’ dhe në ‘tufën’ e demokratëve që ndjekin pas Berishën, dhe ky pa parti. Por dhe vetë Berishën.
Ndaj Meta po ndjek një politikë të distancuar dhe është në rrugën e braktisjes së Berishës, ku dhe argumentin e ka gati, pasi si një ‘non grata’ zyrtar nga SHBA e Britania, dhe i konsideruar i tillë nga të gjitha vendet anëtare të BE por dhe të rajonit si i tillë, e ka shumë të lehtë që ta paraqesë si një kosto për PL dhe vetë Metën. Me këtë rast lideri i PL rregullon jo vetëm marrëdhëniet me ndërkombëtarët, zbaton porosinë e SHBA që të mos ndjekë liderë të sanksionuar, por dhe rrit frymën e anëtarësisë, e ‘armatosur’ tashmë me një rezultat befasues më 14 maj që i dha gati gjysmën e këshilltarëve të opozitës në rang vendi.
Sinjalet e para Meta i dha, teksa i nisi një mesazh të ‘koduar’ Berishës, duke i vënë në dyshim dhe seriozitetin e të bërit opozitë, teksa deklaroi se “duhet një bashkëpunim sa më i sinqertë dhe sa më i gjerë opozitar. Ky është një regjim me të cilin çdo lloj kompromisi, me të cilin çdo lloj marrëveshje e heshtur është një krim përsa i takon interesit publik”. Një përmendje indirekte e akuzës për bashkëpunim mes Berishës me mazhorancën për kullat, një akuzë që vlon në të gjitha ambientet politike dhe panelet mediatike, në pritje të zbardhjes zyrtare të këtij bashkëpunimi të “heshtur” që përmend Meta.
Por nuk mbarojnë këtu hallet e Berishës me politikën, pasi hallet me drejtësinë tashmë janë të njohura dhe është hapur dhe ‘kuotimi’ tek ‘llogaria e basteve politike’, ku secili vë parashikimin e tij se kur dhe sa do të ‘parakalojnë’ para drejtësisë nga familja e liderit të “Foltores”.
Rkthimi i Bardhit dhe i disa deputetëve të PD tek “Foltorja” kanë zgjeruar gamën e halleve të Berishës, pasi tashmë ‘djajtë kanë dalë nga shishja”. Duke vertetuar dhe paranojën e Berishës, se nuk mund të lëvizet badihava nga një grupim tek tjetri, aq më tepër duke marrë parasysh se ikin nga një grupim pro-Perëndim siç është PD zyrtare, për të shkuar tek lideri ‘non grata’ dhe anti-perëndim siç janë Berisha dhe “Foltorja”. Një qëllim e kanë, një përfitim e presin sipas tij.
Dhe kjo u vertetua më së miri në mbledhjen e radhës së grupit të deputetëve të bashkuar Berisha-Bardhi, të mërkurën e kësaj jave, teksa një pjesë e deputetëve e shprehën hapur pakënaqësinë e tyre për rezultatin e këtij ‘bashkimi’ i cili jo vetëm që nuk ka sjellë asgjë në mbështetjen politike për “Foltoren”, që nuk po arrijnë të organizojnë dot as një protestë të thjeshtë, për mungesë pjesëmarrje, ndërsa nuk po tërheq pas as bazën e PD, dhe për pasojë marrjen e vulës dhe logos së kësaj partie.
Teksa kanë dalë dhe mbi frikën e mbetjes jashtë Kuvendit në zgjedhjet e ardhshme, këta deputetë kanë kërkuar një riformatim dhe rikonceptim të “Foltores”. Madje kanë kërkuar dhe ndryshimin e strategjisë, themelimin e një partie të re, me logo dhe vulë të re, zgjedhjen e një lidershipi të ri që të marrë përsipër ringritjen e demokratëve, rreth një partie të re politike.
E kërkuan thuajse të gjithë deputetët, e kërkoi dhe i rikthyeri Ervin Salianji, i cili pasi ‘flaku’ shkopin me të cilin mbrojti selinë e blinduar të PD, nga sulmet e mbështetësve të Berishës, që tashmë i ka ‘kolegë’ tek “Foltorja”. Pa llogaritur deputetin Dashnor Sula, i cili ka qënë konsistent në kërkesën e tij për një PD të bashkuar pa Berishën dhe Bashën. Por dhe Salianji, me zë e figurë kërkoi rikonceptimin e PD, krijimin e një formacioni të ri politik, pa Berishën kryetar i cili sipas tij duhet të bëjë një hap pas.
Pavarësisht kundërshtimeve të Berishës, se është çështje morali kërkimi i vulës dhe logos së PD, duke përmendur historinë e gjatë të kësaj partie, në pushtet dhe në opozitë, me sa duket dhe vetë Bardhi në mënyrë të heshtur, por dhe ata që e kanë ndjekur si dhe të tjerët përpos Berishës dhe një pjesë e vogël e ithtarëve të tij që janë kundër, janë plotësisht të bindur se vulën dhe logon e PD e kanë ‘qarë’ me kohë dhe me vakt, dhe se ‘pronari’ i saj me letra dhe ligjërisht është Lulzim Basha, e mbështetësit e tij. Sado të paktë të jenë.
E quajnë të mbyllur këtë historinë e vulës dhe logos së PD, dhe për ta, rrekja e shpresa për ta marrë atë me gjyqe dhe kërcënime, është një betejë e humbur, që e rrënon më tepër opozitën në luftën pafund nëpër gjykata, që dhe pa këto ankesa të “Foltores”, është e mbushur dingas me dosje të pashqyrtuara. Aq më tepër që Berisha po e tregon në çdo ballafaqim elektoral, dhe në Kukës ku PD ia la të lirë ‘fushën’ duke mos nxjerrë kandidat alternativ për kryetar bashkie, se nuk është në gjendje jo vetëm që të frymëzojë dhe të fitojë përballë Ramës, por as të mbajë votat e zgjedhjeve paraardhëse. Duke shënuar vetëm humbje të thella, në çdo ballafaqim elektoral.
Pra, Berisha po sheh dita ditës se gëzimit të heqjes nga Basha të shumë deputetëve të PD me argumentin se është lënë vetëm dhe nuk ka mbështetje, po ia zë vendin dyshimi dhe shqetësimi, se Bardhi e deputetët që e ndjekin, janë një ‘kolonë e pestë’ që mund të sjellin dëbimin e dytë të tij nga kryesimi i demokratëve që i kanë mbetur.
Pasi ia kërkuan hapur largimin nga drejtimi i partisë së re, në momentin e një riformatimi, rikonceptimi dhe një riorganizimi të domosdoshëm, teksa është deklaruar jo vetëm në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit të deputetëve në mesditën e së mërkurës, por dhe në mënyrë publike, para mediave dhe në panelet televizive. Pra një partie e re, pa Berishën kryetar, i cili duhet të bëjnë një hap pas. Kjo e tërbon Berishën, pasi të gjithë kanë në mendje dëbimin e tij, lënien jashtë kupolës drejtuese të “Foltores” së përforcuar nga deputetët ‘mercenarë’ që lëvizin nga grupi në grup, sipas interesit të ditës.
Ndaj dhe në biseda me mbështetësit e tij të përjetshëm, janë shumë pak ata që i kanë mbetur, por dhe në qëndrimin e tij të heshtur, në mendjen e tij ka zënë vend bindja se Gazment Bardhi dhe deputetët që e kanë ndjekur në këtë lëvizje nga PD zyrtare tek “Foltorja”, më shumë se një fuqizim i grupimit të tij politik përballë Bashës, është një i infiltruar në radhët e “Foltores” për të realizuar dëbimin e dytë të tij nga PD dhe marrjen në dorë të këtij grupimi, që më pas të shndërrohet në një parti të re politike.
Pra Sali Berisha ka nisur ta shohë Gazmend Bardhin si një “Pal Melysh” që po e kërcënon me shkatërrimin dhe marrjen e “Foltores”, rrëzimin e tij nga drejtimi dhe lënien përballë drejtësisë pa asnjë mburojë politike. Mendja e Berishës këtë bluan ditë e natë, herë e cilëson si një të ‘infiltruar’ të ndërkombëtarëve, herë si të Ramës, dhe herë si të Bashës, duke i zeruar të gjitha përplasjet e Bardhit me këta të fundit, si një skemë për të bindur demokratët se e ka me gjithë mend luftën kundër kryeministrit dhe kreut të PD zyrtare.
Ndaj ka nisur të marrë masa, që teksa sheh distancimin deri në braktisje të Metës, i duhet të ‘shtrëngojë’ fort Bardhin dhe ndjekësit e tij, deri në ‘marrjen e frymës”. Duke vertetuar se nganjëherë ‘dashuria’ e tepërt dhe vret. Politikisht themi. Duke treguar qartë se Berisha është më se i vendosur për ta mbajtur gjendjen në këtë mënyrë, as ‘mish as peshk’, deri në një moment të dytë, për të qënë vetë ai që do të vendosë për krijimin e një partie të re politike, të jetë ai që ta udhëheqë atë.
Deri atëherë Berisha do të operojë sipas skemës së mërzitjes së Bardhit, por dhe përplasjes së këtij të fundit me Bashën për të shpresuar në kalimin e sa më shumë demokratëve tek “Foltorja”, mërzitjen dhe dobësimin e tij dhe të grupit të deputetëve që e ndjek, dhe më pas të veprojë siç ka vepruar gjithnjë vetë. Largimin nga drejtimi i “Foltores” Berisha as që e mendon.
Kështu që nga dita e mërkurë ka filluar dhe numërimi mbrapsht për Bardhin dhe ndjekësit e tij, por dhe për vetë grupimin më të madh të PD që po ‘korr’ atë që ka mbjellur vetë, pabesinë ndaj demokratëve për qëllime personale, përmes zhbërjes së partisë më të madhe opozitare, përmes futjes së ‘kolonës së pestë’ tek PD zyrtare, të cilët po i kthehen ‘paketë’ “Foltores”. Atë që ua bën të tjerëve, do të kthehet njëherë pas. Kjo po i ndodh Berishës, i cili është gati të sakrifikojë jo Bardhin, por dhe më të ‘bukurin’në krah, vetëm që ta ketë drejtimin e “Foltores”, për ta pasur si mburojë politike përballë ndërkombëtarëve dhe drejtësisë.