Nga Artur Ajazi
Ditët e fundit, po hidhen teza diskutimore lidhur me të ardhmen e Partisë Demokratike. Po hamendësohet dhe analizohet jo thellësisht, edhe ndryshimi i emrit të saj. Kjo tezë në fakt, është shfaqur dhe diskutuar edhe vitin e kaluar, kur Berisha dhe Rithemelimi, e kuptuan se “e kishin humbur betejën me gjyqsorin për simbolet, vulën dhe flamurin e partisë”. Por, a mund ta shpëtojë PD-në ndryshimi i emrit ? Natyrisht që jo, derisa brënda saj janë dhe do të jenë akoma emrat e vjetër, të përfolurit e politikës djathtiste, ata që ç’nuk i kanë vjelë pushtetit dhe marifeteve të tjera.
As që mendohet dhe besohet se, ndryshimi i emrit nga “PD në PDR” apo dhe diçka tjetër, do ti bënte shqiptarët të ndryshonin mëndjen dhe ti besonin “partisë së vjeter me emrin e ri”. Politika është “ si shkencat ekzakte”, dhe nuk të fal në rast se ti gabon, abuzon dhe zhgënjen. Në të tre këto faza, ka kaluar pothuajse gjithë lidershipi aktual i Rithemelimit, duke nisur nga Berisha, dhe deri tek i fundit mbësshtetës që mban në xhep mandatin e deputetit. Kokëfortësia e deritanishme e Berishës dhe ndonjë tjetri për “tu përballur me gjyqet e Ramës për të rifituar vulën”, hedhja e shpeshtë e tezës së “ndryshimit të emrit dhe formimit të një partie të re”, natyrisht tregon çoroditjen politike dhe mospasja e situatës nën kontroll edhe brënda Rithemelimit.
Si mund të mendosh për ndryshimin e emrit apo formimin e një partie të re demokratike, kur në krye, në kryesi, në grupin parlamentar, ka akoma persona që kanë 30 e ca vjet në politikë, janë akuzuar dhe hetuar, janë përlyer me lloj-lloj aferash korruptive, dhe nuk pranojnë të largohen. Ndryshimi i emrit apo formimi i një partie të re me ngjyrime demokratike, do të ishte shpëtimi i Rithemelimit apo dhe Partisë Demokratike (të asaj që drejton sot Basha) që po lëngon prej 12 vitesh nga kapja dhe marrja peng e saj nga segmente korruptive, dhe drejtues dritëshkurtër, që janë në politikë për tu pasuruar, dhe noterizuar milionat e pamerituara.
Ata (Berisha dhe Basha) po mbajnë peng lindjen e një opozite të re brënda asaj force politike. Ata po pengojnë të rinjtë të promovohen dhe provohen në skenën politike. Dhe kjo me qëllimin e vetëm, për të “varrosur” bëmat dhe mëkatet e tyre, dhe për ti shpëtuar ndëshkimit ligjor nga drejtësia.
Ka ardhur koha, që në Shqipëri të ndodhë “revolucioni” që do të largonte këtë klasë politike, që është çimentuar në Parlament apo institucione të tjera partish, për të treguar sa vlejmë ne shqiptarët në sytë e Eruopës Demokratike. Ndryshe, do ti kemi atje edhe 30 e ca vjet të tjera, derisa të humbë edhe shpresa e fundit, që ky vend bëhet.