Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin se transmetimi në rrugë seksuale i virusit Zika është më i përhapur nga sa mendohej më parë dhe se virusi nuk prek vetëm nënat shtatëzëna, por edhe kategori të tjera njerëzish.
Pas një mbledhjeje të komitetit të emergjencave, agjencia e OKB-së për shëndetin deklaroi gjithashtu se, provat për lidhjen mes Zikës dhe defektet tek fëmijët e lindur sa vijnë e shtohen.
Është vërtetuar se Zika përhapet kryesisht nga mushkonjat, por vende të tjera, jo të pakta në numër, kanë raportuar për transmetim seksual të tij. OBSH njoftoi muajin e kaluar se rënia dhe përhapja e virusit përbën një emergjencë globale.
Drejtoresha e përgjithshme Margaret Chan tha se, raportimet dhe hetimet e kryera në vende të ndryshme sugjerojnë se, transmetimi seksual i virusit është më i shpeshtë nga sa mendohej më parë.
Duke e cilësuar këtë zhvillim si “alarmant”, doktoresha Chan tha gjithashtu se, mikrocefalia – defekti tek fëmijët e sapolindur që lidhet fuqishëm me rënien e virusit në Brazil – është vetëm një nga anomalitë e konstatuara nga OBSH tek virusi.
Chan shtoi se, problemet e lidhura me Zikën tashmë po shihen jo vetëm tek gratë në fazë shtatëzënie, por edhe tek fëmijët, adoleshentët e madje edhe të rriturit.