Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Izraeli nuk po sillet si një shtet por si një organizatë, pasi ushtria izraelite po i vazhdon bombardimet pareshtur në Rripin e Gazës qëkur u sulmua nga Hamasi në fundjavë.
“Izraeli nuk duhet të harrojë se, nëse sillet si një organizatë dhe jo si një shtet, do të përfundojnë duke u trajtuar si e tillë”, tha Erdogan, duke i cilësuar si metoda të turpshme sulmet e ushtrisë izraelite në Gazën e mbipopulluar.
“Ne mendojmë se lufta duhet të ketë etikë dhe të dy palët duhet ta respektojnë këtë. Fatkeqësisht, këto parime po shkelen rëndë në Izrael dhe në Gaza”, tha ai, duke e dënuar vrasjen e civilëve në territorin izraelit dhe masakrimin e njerëzve të pafajshëm në Gaza, të cilët përballen me bombardime të vazhdueshme.
Erdogani zakonisht e përdor fjalën “organizatë” kur flet për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila cilësohet si grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
/f.s